Arrestimet shqiptarëve në Serbi, Haxhiu kërkon nga ndërkombëtarët të bëjnë trysni për lirimin e tyre

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë që të bëjnë trysni ndaj Serbisë në mënyrë që ky shtet të ndaloj arrestimet e shqiptarëve.

Siç ka deklaruar ajo, Serbia vazhdon të mbaj në burgje njerëz të pafajshëm.

Ministria e Punëve të Jashtme, sipas saj, është në komunikim me të arrestuarit, mirëpo “lirimi i tyre nuk varet nga Kosova”.

“MPJ, përmes zyrës atje ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me ta dhe familjet e tyre. Nuk është asgjë e re, është vazhdimësi e politikave të mbrapshta politike të Serbisë kundër Kosovës. Si institucione kemi qenë në vazhdimësi në komunikim, por, se a do të lirohen- kjo nuk varet prej Kosovës. Siç ka bërë në të kaluarën, ka mbajtur në burgje njerëz të pafajshëm, Serbia vazhdon njëjtë. Kjo nuk na befason aspak, por kërkoj nga partnerët tanë të bëjnë trysni e presion ndaj Serbisë të ndaloj veprimet e tilla. Kosova nuk ka bërë asnjëherë arrestime në baza politike”- ka thënë Haxhiu.

Katër shtetas të Kosovës, aktualisht, ndodhen në paraburgim në Serbi nën akuzat për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa.

Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është qytetar i Kosovës, i fundit që u arrestua në Serbi. Atij, më 6 janar, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Leave a Reply

Your email address will not be published.