Lladrovci publikon dy foto të hershme që përshkruajnë një histori, përmend shokët legjendarë

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka publikuar dy foto, një të viteve ’90 dhe ecjen e parë në Sheshin e Prishtinës së çliruar, të cilat i ka quajtur “Dy foto, një histori…”.

“Disa vite më herët, nëpër këtë shesh kisha ecur me Uzi nën setër, dhe armë tjera, me dy nga shokët e mi, Hashimin dhe Kadriun, që krijuan historinë e re të shtetit tonë” ka shkruar ai.

Postimi i Lladrovcit në fb:

Dy foto, një histori…

Fotoja e parë është në Tiranë, posa kishte arritur Shema me Lapidarin e Kosovaren e vogël. Rrugë e gjatë, nga Gllanasella në Tiranë, në fillim të viteve ’90.

Ngrohtësia e pritjes pas rrugëtimit me rreziqe e bën këtë foto të paharrueshme për familjen dhe ata që na ndihmuan të bashkohemi sërish pranë “sofrës”.

Fotoja e dytë, është në Sheshin e Prishtinës, për herë të parë, hapat e mi pas çlirimit.

Disa vite më herët, nëpër këtë shesh kisha ecur me Uzi nën setër, dhe armë tjera, me dy nga shokët e mi, Hashimin dhe Kadriun, që krijuan historinë e re të shtetit tonë.

Hapat që i hidhja atë ditë, ishin të rëndë sepse kujtoja legjendarët, hapa për Ademin, Hamzën, Fehën, Xhevën, Abenë, Bedriun, Afrimin, Fahriun, Fadilin, Rasimin, Ilazin, bacën Ahmet, Xhavitin, Xhemajlin, Ilirin, Ardianin, Ahmetin e qindra shokë që nuk e kishin pritur këtë ditë.

Ishin hapa të rëndë sepse këtë ditë nuk e kishin përjetuar mijëra nëna e baballarë, atdhetarë e fëmijë të pafajshëm.

Atdhetarë, çlirimtarë, qytetarë, bashëveprimtarë, bashkëluftëtarë, gëzuar Dita e Çlirimit!

Leave a Reply

Your email address will not be published.