Sahatqija: Përdorimi i dronëve dhe veturave inteligjente në Gjakovë ndikoi në sigurinë e trafikut

Gjendja e sigurisë rrugore dhe në përgjithësi e trafikut rrugor në pjesën që menaxhohet nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë vlerësohet të jetë më e mirë se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Në një intervistë, Albin Sahatqija, komandant i Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor të DRP në Gjakovë, ka thënë se numri i aksidenteve në rajonin e Gjakovës që nga janari e deri më tani është 644.

“Numri i përgjithshëm i aksidenteve rrugore në Rajonin e Gjakovës prej janarit e deri më tani është 644 aksidente rrugore në rajonin e Gjakovës, duke përfshirë Gjakovën, Rahovecin dhe Malishevën. Rreth 71 % të aksidenteve rrugore kanë ndodhur në zonën urbane, ndërsa rreth 29 % kanë ndodhur në rrugët rajonale dhe nacionale”, potencoi kapiten Sahatqija.

Ndërsa sa i përket numrit të aksidenteve në raport me vitin e kaluar, Sahatqija deklaroi se numri i tyre është i njëjtë, duke përmendur edhe aksidentet me fatalitet.

“Nëse e marrim numrin e përgjithshëm të aksidenteve rrugore në krahasim me vitin e kaluar, mund të themi se numri i aksidenteve është i njëjtë, mirëpo shihet se ka ulje të aksidenteve fatale krahasuar me vitin e kaluar, ku në vitin 2023 kemi pasur tri aksidente fatale për gjashtë muaj ndërsa në vitin 2024 kemi vetëm një aksident fatal deri më tani”.

Përveç një aksidenti me fatalitet, Sahatqija tha që nga janari i këtij viti 2024 e deri më tani, numri i aksidenteve me lëndime trupore është 284.

“Si Rajon i Gjakovës, prej janarit e deri më tani në vitin 2024, kemi pasur vetëm një (1) aksident me pasoja fatale, ndërsa numri i përgjithshëm i aksidenteve tjera është: 284 aksidente me lëndime, ku shumica kanë qenë lëndime të lehta trupore, ndërsa 359 aksidente kanë qenë me dëme materiale”.

E një lehtësim i punës për Policinë e Kosovës, e veçanërisht për njësinë e trafikut rrugor, kanë qenë edhe veturat inteligjente, të cilat sipas kapitenit Sahaqija, përveç lehtësimit të punës, kanë ndikuar edhe në sigurinë e trafikut rrugor.

“Përveç aktiviteteve ditore me automjete zyrtare dhe automjeteve me targa civile, ne si Trafik Rajonal veprojmë edhe me automjete inteligjente, ku si prioritet i Trafikut Rajonal në Gjakovë është marrja e masave preventive në ngritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve rrugore. Qëllimi i patrullimit me veturë inteligjente është identifikimi i kundërvajtjeve të rënda si shpejtësia, tejkalimet, përdorimi i telefonit, si dhe identifikimi i mjeteve të pa regjistruara. Duke identifikuar këto kundërvajtje, atëherë merren masat ndëshkuese ndaj kundërvajtësve si qëllim të ngritjes së vetëdijes së tyre”, tha Sahatqija.

Përveç veturave inteligjente, gjatë vitit të kaluar Policia e Kosovës është pajisur edhe me dron, ku Sahatqija ceku edhe numrin e lartë të patentë shoferëve që janë konfiskuar që nga përdorimi i dronit nga Policia.

“Ne si polici jemi të pajisur me dron prej vitit të kaluar dhe kjo pajisje ka qenë një ndihmesë e madhe për Policinë, duke marrë parasysh se shumë aksidente rrugore ndodhin për shkak të tejkalimit të mjeteve në vendin ku e kanë të ndaluar me shenja horizontale (vija e plotë) dhe shenja vertikale.

Duke marrë parasysh situatën që zhvillohet në teren, analizave të sigurisë rrugore, kundërvajtjeve të ndryshme, atëherë Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë, përmes Task-Forcës, përgatit plane të ndryshme operative të veprimit, ku si prioritet është marrja e masave ndaj kundërvajtësve që tejkalojnë në vende të ndaluara dhe nuk e respektojnë semaforin.

Prej momentin kur jemi pajisur me dron e deri më tani janë konfiskuar rreth 500 patentë shoferë si masë mbrojtëse, ndërsa vetëm në muajin maj, përmes pajisjes së dronit janë identifikuar kundërvajtësit dhe janë konfiskuar 210 patentë-shoferë si masë mbrojtëse, dhe planet e Policisë për ndëshkimin e kundërvajtësve do të vazhdojnë deri në arritjen e efektit të dëshiruar”, shtoi Sahatqija.

Sipas tij, numri i gjobave të shqiptuara ka shënuar rritje në raport me vitin e kaluar.

“Numri i gjobave të përgjithshme deri më tani në rajonin e Gjakovës është 32 mijë e 199 gjoba, rreth 7% më shumë gjoba se sa vitin e kaluar.”

Ndërsa disa nga masat të cilat janë shkelur më shumë nga shoferët rezultojnë të jenë shpejtësia, tejkalimi dhe përdorimi i telefonit gjatë vozitjes.

“Masat të cilat janë shkelur më së shumti nga shoferët, të cilëve u është shqiptuar gjoba janë, shpejtësia, tejkalimet, përdorimi i telefonit, mos respektimi i semaforit, garat e shpejtësisë, mos respektimi i shenjave të trafikut mos vendosja e rripit të sigurisë, automjetet e paregjistruara, mosvendosja e helmetës dhe kundërvajtjeve tjera të motoçiklistëve (ku vetëm në muajin maj e qershor janë konfiskuar rreth 100 motoçikleta në Rajonin e Gjakovës) dhe kundërvajtje të tjera.

Masat parandaluese dhe ndëshkuese ndaj drejtuesve të motoçikletave do të vazhdojnë deri sa të vlerësohet që është arritur vetëdijesimi i drejtuesve të motoçikletave që gjatë vozitjes së motoçikletës duhet që në mënyrë obligative të vendosen helmeta mbrojtëse, për shkak se helmeta mbrojtëse e mbron edhe jetën e tyre”, shtoi tutje Sahatqija.

I pyetur rreth përgatitjes së Policisë, më konkretisht njësisë së Trafikut, për fluksin e shtuar të makinave gjatë sezonit të verës kapiten Sahatqija tha që si çdo vit, edhe këtë herë Policia ka bërë përgatitjet e duhura për sezonin e verës.

“Si çdo vit, edhe këtë vit ne si Polici i kemi bërë përgatitjet e duhura të sezonit verore dhe përmes planeve operative janë përcaktuar objektivat dhe prioritet në sigurinë rrugore. Në bazë të analizave të sigurisë rrugore, atëherë mbulohen me patrullime dhe pika të kontrollit të gjitha ato zona që i konsiderojmë më të rrezikshme nga kundërvajtjet dhe aksidentet rrugore dhe zhvillohen aktivitet policore në vetëdijesimin e qytetarëve që të ndikojmë në parandalimin e aksidenteve rrugore, sidomos në ato më pasoja të rënda.

Duke marrë parasysh që me ardhjen e mërgimtarëve formohet edhe piku i trafikut në zona të ndryshme, atëherë duke u bazuar edhe në të kaluarën, ne si Polici kemi paraparë që të merren masa të ndryshme që të kemi një siguri të lartë rrugore dhe qarkullim normal të pjesëmarrësve në trafikun rrugor.

Për gjitha aktivitet që do të zhvillohen jemi të përgatitur dhe shpresojmë që edhe këtë vit si në vitin e kaluar mos të kemi asnjë aksident me pasoja fatale gjatë intervalit kohor kur vijnë mërgimtarët”, u shpreh Sahaqija.

Ai situatën në trafikun rrugor në pjesën që menaxhohet nga DRP në Gjakovë, e cilësoi si shumë të mirë.

“Nëse e analizojmë situatën e përgjithshme të sigurisë rrugore në rajonin e Gjakovës, mund të themi që e kemi një situatë shumë të mirë, duke marrë parasysh se krahasuar me vitet paraprake e kemi vetëm një aksident me pasoja fatale këtë vit, po ashtu edhe të aksidentet me lëndime të rënda trupore kemi rënie të dukshme krahasuar me vitin e kaluar.

Problematikë e vazhdueshme janë aksidentet me dëme të vogla materiale, ku rreth 70% e këtyre aksidenteve ndodhin në vendbanime. Këto aksidente që përfshihen në statistika mund të plotësohen me Raport Evropian, sipas ligjit të rregullave të trafikut dhe mos të telefonohet Policia, për shkak se atëherë nëse policia e përfundon një aksident trafiku, përveç procedurave të tjera duhet të shqiptohet gjoba ndaj shkaktarit të aksidentit, andaj duhet një vetëdijesim më i madh i qytetarëve që në rast të përfshirjes në një aksident trafiku me dëme materiale, të plotësohet gjithmonë Raporti Evropian i aksidenteve dhe pastaj përmes Raportit Evropian, pala dëmtuese kërkon dëm-shpërblimin në kompaninë e sigurimit të shkaktarit.

Por, në përgjithësi gjendja e sigurisë rrugore është shumë e mirë dhe shpresojmë që të ardhmen të jetë e shkëlqyer dhe mos ta kemi asnjë viktimë në rrugë, për shkak se një viktimë në rrugë është humbje e madhe për gjithë ne”.

Ndërsa në fund kapiten Albin Sahaqtija, komandant i Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në DRP në Gjakovë, kërkoi nga gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugorë t’i respektojnë dispozitat ligjore të rregullave dhe shenjave të trafikut dhe të gjithë akterët që marrin pjesë në trafikun rrugor dhe institucionet tjera, ta japin kontributin e tyre dhe së bashku të ndikojnë për një siguri të lartë rrugore dhe mos të ketë viktima në rrugë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.