Kosova u bë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ishte nikoqire e Forumit të 41-të “Government Borrowers Forum”. Forumi i organizuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në bashkëpunim me Bankën Botërore, mblodhi së bashku mbi 70 pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës për të diskutuar tema që ndërlidhen me tregjet e kapitalit ndërkombëtar dhe menaxhimin e borxhit, parashikimin dhe tendencat globale të tregut, politikën monetare, financat e qëndrueshme dhe rritjen ekonomike.
Të pranishmit u pritën nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Z. Hekuran Murati, Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Z. Massimiliano Paolucci, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Z. Ahmet Ismaili, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Z. Nysret Koca.
Forumi zgjati nga data 10 qershor deri më datën 12 qershor dhe përveç diskutimeve të realizuara, të gjithë pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me disa nga vendet me rëndësi historike për Kosovën duke përjetuar kështu nga afër kulturën dhe historinë e saj të pasur.