Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, nuk e ka mohuar se masat e vendosura nga BE-ja për Kosovën, i kanë sjell dëm vendit.
Mirëpo, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Integrime Evropiane, ai tha se “ia ka vlejtë”.
“Pajtohem se masat i kanë sjell dëm Kosovës. Dëmi është bërë, mirëpo tash në situatën që kemi qenë, është dashtë të marrim vendim. Ose me heq dorë nga sovraniteti në veri, ose të pagujmë një çmim për insistimin tonë që të vendosim sovranitetin në veri. Ne mendojmë që ia ka vlejt, pasi situata sot në veri është si nata me ditën me situatën e para 2-3 vjetëve. Shikoni metodat e pagesave, energjinë elektrike, rrugët ilegale, kultivimin e kanabisit, zgjedhjet e Serbisë, targat. Është sikur të ndërtohet një shtet tjetër që nga fillimi”, u shpreh kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë.
Pas kësaj deklarate, ka ndërhyrë deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi e cila ia kujtoi telefonatën e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lilës, me Milan Radojçiqin.
“E ju folni në telefon me të”, tha ajo.
“Unë nuk flasë me të”, ia ktheu Bislimi.
“Nuk mundesh me kesh Radojçiqin, kur ju merreni vesh me të, shefja e grupit parlamentar”, tha më tej deputetja Krasniqi.