Mospranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit për krime lufte, Milosh Pleskoviq ka shkaktuar tensione dhe reagime nga publiku, në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Pleskoviq po akuzohet se gjatë vitit 1998-99 në Prizren në bashkryerje me një grup serbesh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë.
“Nuk e pranoj dhe nuk e kam kryer këtë dhe më vjen keq …”, tha i akuzuari Pleskoviq pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ilir Morina.
Pasi i njëjti nuk e pranoi fajësinë, pati reagime nga ana e publikut në sallë, për të cilin nga zyrtari policor u mësua se është Perver Daçaj, vëllai i njërit nga viktimat.
Gjykatësi Rrahman Beqiri menjëherë urdhëroi Policinë që i njëjti të largohet nga salla e gjykimit.
Ndërkaq, mbrojtësja e të akuzuari Pleskoviq, avokatja Jovana Filipoviq propozoi që masa e paraburgimit ndaj të mbrojturit të saj, të zëvendësohet me një masë më të butë.
Ky propozim u kundërshtua nga prokurori Morina, pasi sipas tij është mundësia e arratisjes dhe ekziston mundësia e ndikimit në dëshmitar.
Lidhur me propozimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit, gjykatësi Rrahmani njoftoi se gjykata do të vendos jashtë seancës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024 thuhet se Milosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-99 në Prizren në bashkryerje me person tjerë ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil duke kryer vrasjen e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës, Pleskoviq duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb me 1 shtator 1998 në Prizren derisa ishin duke shkuar për na malin e tyre viktimat Reshat Daçaj, Binak Daçaj, Fatmir Bojaxhiu së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastratin fillimisht janë dal papritmas nga grupi i armatosur serbë, të cilët më pas janë fyer me fjalë serbe e që ne mesin e atij grupi të armatosur serb ishte parë edhe i akuzuari Pleskoviq.
Në një moment, sipas aktakuzës thuhet se Pleskoviq kishte filluar të gjuaj me armë të tipit “Kallash Nikov”, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë Reshat Daçaj, Binak Daçaj, Fatmir Bojaxhiu, kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.
Tutje, në aktakuzë thuhet se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i marrin trupat e tyre pas një jave nga vrasja, ku thuhet se trupat e Reshat dhe Binak Daçaj ishin vendosur mbi njëri tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima Fatmir nuk e kishte kokën në trup.
Andaj, për këto veprime Pleskoviq po ngarkohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale.