Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal me 6 vota për ka proceduar për seancën e Kuvendit për votim në lexim të dytë, raportin me amendamente të Komisioneve të përhershme lidhur me Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.
“Raporti përmban 93 amendamente. Konstatoj se 6 vota për procedohet raporti me amendamente për në seancë plenare për në lexim të dytë”, ka deklaruar ai.
Por, deputet e opozitës në këtë mbledhje propozuan që ky projektligj të dërgohet për shqyrtim edhe në Komisionin e Venecias, pasi sipas tyre, ka pasur reagime nga shoqëria civile dhe mediet që ky projektligj cenon lirin e medieve.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka propozuar që ky projektligj të dërgohet në Komisionin e Venecias, që të japë një pasqyrë më të mirë të tij.
“Ka pasur shumë ndryshime ky projektligj. Shihet se ka mbështetje. Kisha kërkuar që të dërgojmë për shqyrtim edhe në Komisionin e Venecias pasi është një projektligj i rëndësisë së veçantë që ka të bëjë me demokracinë dhe shprehjen e lirë dhe harmonizimin e medias së lirë. Që t’ia jap një pasqyrë më të mirë këtij projektligji. Ta dërgojmë si komision jo si parti politike”, ka theksuar ai.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se e përkrah që ky projektligj të shqyrtohet në Komisionin e Venecias. Ai ka deklaruar se në këtë formë që është ky projektligj nuk do t’i marr votat e LDK-së.
“Ka pasur dëgjime publike por mendoj me pak përfshirje. Në komunën e Prishtinës nuk ka ardhur as një njeri. Me që gjatë gjithë fazave të trajtimit të projektligjit si opozitë kemi bërë shumë propozime që nuk janë marr parasysh. Është mirë që mu gjete një mekanizëm që ky projektligj i plotëson standarde e në këtë rast e përkrahi edhe mendimi e deputeti Lushtaku që të shkoj në komisionin e Venecias, sepse në bazë të reagimeve të shoqërisë civile dhe medieve ky projektligj prek pak a shumë lirin e shprehej e punës së medieve në përgjithësi. Në këtë formë si është votat e LDK-së nuk do t’i ketë”, ka thënë ai.
Kryetari i Komisionit, ka thënë se ky projektligj është diskutuar më shumë se çdo projektligj tjetër dhe se për këtë janë marr parasysh edhe dy çështje që janë ngritur nga ekspertja prej Këshillit të Evropës.
“Nuk di a ka nja ligj që është diskutuar më shumë. Në këtë fazë nuk kemi mundësi që të shkojmë në Komision të Venecias, kjo mund të vendoset në instanca të tjera. Ky ligj është dashtë 6 vite më parë të plotësohet e ndryshohet, më mirë vone se kurrë”, ka thënë ai.