1331 aplikime për t’i konvertuar patentë shoferët nga ilegalë në RKS, afati deri më 9 gusht

Më 10 maj ka nisur procesi i konvertimit të patentë shoferëve të lëshuar nga strukturat jolegale të Serbisë në patentë shoferë të Republikës së Kosovës. Një gjë të tillë deri tani e kanë bërë  1 mijë e 331 persona.

Në një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se afati për konvertimin e patentë shoferëve është deri më 9 gusht.

“Sipas vendimit me nr. Protokoli: 0258/2024, të datës 05.05.2024, të Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Svecla, afati për konvertimin e patent shoferëve të lëshuar nga strukturat jo-legale serbe në patent shoferë të Republikës së Kosovës është deri me datë 09.08.2024.”

MPB i ka bërë ftesë të gjithë qytetarëve që posedojnë patentë shoferë ilegalë të shfrytëzojnë afatin kohor dhe të aplikojnë për të marrë ata RKS.

Detaje rreth aplikimit për konvertim të patentë shoferëve

Procedura për pajisje me patentë shoder të Kosovës zgjatë 15 ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.

MBP ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët që posedojnë patentë shoferi të lëshuar nga strukturat jo legale serbe mund të aplikojnë për patentë shoferi zyrtar të Republikës së Kosovës përmes aplikimit formularit elektronik në ueb faqen  https://patentshoferonline.rks-gov.net/ apo edhe fizikisht në Qendrën për Pajisje me Dokumente në të gjitha komunat e Kosovës.

Në rast të paraqitjes fizike për aplikim në sportelet e Qendrave për Pajisje me Dokumente, qytetarët duhet të posedojnë këto dokumente:

Letërnjoftimin e Republikës së Kosovës,

Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe,

Certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer,

Certifikata shëndetësore lëshohet nga institucionet shëndetësore të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, në tërë territorin e Republikës së Kosovës;

Çmimi për certifikatë shëndetësore varion nga kategoria e mjetit për të cilin posedon patentë shoferin dhe atë si në vijim: Për kategorinë B/BE çmimi i certifikatës shëndetësore është njëzetë euro (20.00€); Për kategorinë C dhe kategorinë D çmimi i certifikatës shëndetësore është pesëdhjetë euro (50.00€).

Dëshmi të pagesës së taksës vlera e së cilës është pesëmbëdhjetë euro (15.00€) dhe Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.