Kurti: Do të shkoj në Bruksel të shoh se në çfarë gjendje ndodhemi, si mund të ecim përpara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar në lidhje me takimin e nesërm që do zhvillojë në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se marrëveshja bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar me pjesën integrale e aneksin e zbatimit të 18 marsit, e bën normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë me njohjen së paku defakto në qendër.

“Përveç tjerash takimi i nesërm edhe bilateral edhe trilateral do të jetë në funksion të rikapitullimit të këtij procesi trevjeçar, të shohim në cfarë gjendje ndodhemi, cilat janë idetë si mund të ecim përpara, për bindjen time të fuqishme marrëveshja bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar me pjesën integrale e aneksin e zbatimit të 18 marsit në Ohër e bën normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen së paku defacto në qendër”, ka deklaruar Kurti.

Tutje, Kurti ka thënë se Serbia vazhdimisht ka refuzuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Kemi shkelje sistematike të Marrëveshjes nga Serbia, e kjo ka kulmuar me letrën e Bërnabiq, më 13 dhjetor, ku Serbia u tërhoq nga Marrëveshja Bazike, e prej atyre na vijnë problemet. Nga mosrespektimi e shkelje na vijnë problemet në raport me Serbinë”, ka vijuar ai.

Ai ka përmendur edhe sulmin në Banjskë duke thënë se dje janë bërë nëntë muaj qëkur është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa Millan Radojçiq, përgjegjës për këtë sulm endet ende i lirë në Serbi.

“Theksoj që dje janë bërë nëntë muaj prej se është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, heroi i Kosovës, që do të thotë se janë bërë 9 muaj që kryekriminieli i paramilitarëve terorristë Millan Radojciq ndodhet në liri, ndërsa nesër bëhet 1 vit prej se janë liruar tre policët që u patën rrëmbyer në afërsi të kufirit me Serbinë por gjithsesi në terroritorin e Kosovës pasi që u mbajtën peng për 12 ditë. Kemi pasë vazhdimisht tensione e nganjëherë edhe eskalime, që të gjitha e kanë adresën në Beogradin zyrtar”, ka theksuar Kurti.

Nesër, për herë të parë pas më shumë se nëntë muajsh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen në Bruksel për të zhvilluar një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.