Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, e ka kritikuar Qeverinë se po e shkel kushtetutën me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Në një konferencë për media, Gruda ka theksuar se nisma për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit që Kosova e ka me BE-në.
“Me këtë ligj shkelet Marrëveshja e Stabilizim Asocimit për Kosovën, sepse neni 120 i saj kërkon bashkëpunim me Bashkimin Evropian në fushën e reformave në administratën publike. Vlen të theksohet që edhe Zyra e BE-së në Kosovë e ka kundërshtuar këtë ligj… Për ne është e pabesueshme që qeveria po përsërit shkeljen e njëjtë të kushtetutës. Kosova nuk mundet ta hartojë një ligj i cili bie ndesh me marrëveshjen e Stabilizim Asociimit pasi kështu shkel edhe kushtetutën”, ka thënë ai.
Lidhur me Ligjin për Këshillin Prokurorial, ai ka thënë se Qeveria po mundohet që të hapë rrugën që KPK-ja të vihet nën kontroll.
“Sërish po synohet që organi i akuzës të vihet nën kontroll duke rritur numrin e anëtarëve të Këshillit Prokurorial në mënyrë që të dominohet nga politika. Për ne është e qartë, ideja është që të gjendet një rrugë nga pushteti që Këshilli Prokurorial të vihet nën kontroll nga pushteti”, ka deklaruar Gruda.