Plani Rregullues “Kalabria 2023-2031” në heshtje administrative, Ministrisë së Infrastrukturës sot i skadon afati për përgjigje

Dita e mërkurë shënon edhe afatin e fundit kur Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës duhet t’i kthejë përgjigje Komunës së Prishtinës për planin rregullues urbanistik për lagjen “Kalabria”.

E në rast se mungon një e tillë brenda afatit të përcaktuar prej 15 ditësh, kjo konsiderohet një heshtje administrative dhe miratim i hartës së re zonale për këtë lagje të kryeqytetit.

Në një seancë maratonike mbajtur më 3 qershor, kaloi propozimi i shefit të asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla rreth planit për “Kalabrinë”.

“Hapësirat e gjelbërta të kthehen ashtu siç kanë qenë, po flasim për parcelën E10-1, Parku Botanika që ka qenë në planin e kaluar të kthehet ashtu siç ka qenë, Parku Botanika me koeficientin 1.0, në hapësirat e verdha të parapara për zonë të shërbimeve të shkruhet përshkrimi ‘Zonë e Shërbimeve Publike Komunale’, te hapësira e Parkut që e quajtëm Parku Kalabria koeficienti nga 1 ngritet në 1.25, dhe hapësira e Stacionit llogaritet me koeficient 3.0”, ishte propozimi i cili kaloi.

Për këtë plan ka pasur kundërshti të mëdha nga banorët pasiqë janë mbajtur vetëm dy dëgjime publike me qytetarët.

Njërin nga to, Komuna e Prishtinës e organizoi dy vjet më parë me banorët e lagjes “Kalabria. Më 22 maj 2022, kur u mbajt ky takim me qytetarë, kryetari i kryeqytetit Përparim Rama, para banorëve të kësaj lagjeje, koeficientin më të larë që e zuri në gojë atë ditë ishte ai 2.4 për pronat private të prishtinasve.

Në procesverbalin e atij takimi, që gjendet edhe sot në ëebfaqen e Komunës, nuk u përmendet askund se çfarë do të ndodhë me pronat publike të kësaj lagjeje.

Madje, as koeficienti 3 e as ai 7. Këto shifra dolën në skenë tek në vitin 2024, nga kryetari Rama.

Dy vjet pas debatit me qytetarët, ai propozoi që në pronat publike të Stacionit të Autobusëve, koeficienti i ndërtimit të jetë 7, që përkthehet në ndërtesa nga 20 deri në 30 kate.

Propozimi i Ramës ishte kundërthënës me vendimin e tij të marrë në 2022-ën, kur e anuloi planin e kësaj lagjeje, me arsyetimin se nuk ka hapësira për kaq shumë ndërtesa të larta e banorë.

Idenë e tij të re, arkitekti nga Londra e arsyetoi me faktin se kjo hapësirë ka nevojë për transformim.

Për ndërtimet e parapara me këtë plan të ri në “Kalabri”, kishte reaguar ashpër edhe ndërmarrja publike lokale “Stacioni i Autobusëve sh.a.” në Prishtine ku ndodhet edhe vetë kjo ndërmarrje.

Në një përgjigje dërguar emisionit “Kiks Kosova”, kjo ndërmarrje kishte thënë se nuk e përkrahin planin e Komunës për zhvillimin e kësaj pjese.

“Ne nuk jemi kundër zhvillimit të Kryeqytetit, por plani si i tillë nuk na është prezantuar fare dhe rrjedhimisht edhe nuk mund të japim përkrahje për të”, ka thënë Stacioni i Autobusëve.

Ndër të tjera, ndërmarrja thotë se për planin në fjalë të Komunës janë informuar nga mediat, dhe se për të njëjtin as që janë pyetur e as konsultuar.

Nga shtëpitë njëkatëshe në ndërtime të larta, cila është historia e Kalabrisë?

Tri vjet pas premtimit, Përparim Rama u kthye në Kalabri. Jo për të realizuar premtimet zgjedhore, por për të vërtetuar diskriminimin pronësor kundër pronave private.

Kjo, pasi arkitektët e tij planifikuan që në 15 hektarët e pronës publike rreth Stacionit të Autobusëve të lejoheshin ndërtimet e larta deri në 30 kate.

Për këtë, ai hartoi edhe një projekt 1 miliardësh dhe tentoi të vendoste koeficientin e ndërtimit në 7.0, por plani i tij zemërgjerë i rritjes së koeficientit nuk u përputh me pritjet e banorëve të Kalabrisë, të cilët në fakt kërkonin që edhe tokat e tyre të merrnin rritje të koeficientit e të mos mbeteshin në atë që ishte 1.5, raporton Kiks Kosova.

Ky fakt bëri që banorët e lagjes Kalabria të shprehnin zemërimin e tyre për vendimin e kryetarit të komunës për të lejuar ndërtime me mbi 20 kate në 15 hektarët e pronës publike rreth Stacionit të Autobusëve.

Por historia e kundërshtimit të tyre është e vjetër sa edhe vetë pushteti i Përparim Ramës.

Protestat e tyre nisën që në shpalosjen e idesë së kryetarit që erdhi na Londra për të rikonstruktuar kryeqytetin, e që sipas banorëve po i diskriminon prishtinasit.

Në mars të 2022 ata protestuan para Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të kundërshtuar planin rregullues të lagjes.

Përfaqësuesit e tyre atë kohë thanë se janë duke pritur që një kohë të gjatë që lagjja të zhvillohet.
Madje, ata fajësonin Ramën që po do t’ua marrë atë që ua kishte dhënë njëherë Shpend Ahmeti, që ishte koeficienti 2.4.
Tre ditë pas protestës, Rama bëri një njoftim në rrjetin e tij social Facebook, më saktësisht më 18 mars të 2022-tës, ku arsyetonte anulimin e vendimit për Miratimin e Planit Rregullues të Hollësishëm për Lagjen “Kalabria”’.

Kjo sipas tij erdhi për shkak të vlerësimit negativ të ligjshmërisë së PRRH-së nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Por tani, pas dy vjetëve në krye të kryeqytetit, Rama donte të vendoste ndryshe.
Transformimin e Lagjes “Kalabria” planifikonte ta bënte vetëm në pronat publike, të përqendruara rreth Stacionit të Autobusëve për të cilin pati shumë diskutime rreth koeficientit e tij, apo thënë ndryshe, për sa herë do të rritet vlera e tij.

Në mbledhjen e tretë të Kuvendit të Kryeqytetit të Republikës së Kosovës të 24 majit 2024, i pari i kryeqytetit, rritjen e vlerës së ndërtimit në 7 e arsyetoi me unazën e kryeqytetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.