Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe Flutura Kusari – Këshilltare ligjore, Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias kanë mbajtur sot një konferencë për media lidhur me Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.
Rexha dhe Kusari kanë kritikuar projektligjin për KPM-në, teksa kanë bërë thirrje që Qeveria të tërhiqet nga projektligji.
“E ftojmë Lëvizjes Vetëvendosje mos ta votojë këtë ligj, dhe draftimi i tij të bëhet përmes një grupi punues siç ka kërkuar edhe Këshilli i Evropës. Qëllimi fillestar i Qeverisë ishte t’i kontrollonte mediat online përmes KPM-së dhe kur e pa që ligjërisht nuk është e mundur e ka propozuar njëfarë regjistrimi por është aq keq i rregulluar sado të shkaktojë kaos ligjor dhe nuk do të funksionojë”, tha Kusari.
Sipas saj, mediat online janë storie suksesi.
Edhe Rexha, ftoi opozitën të ketë zë më kritik kundër projektligjit, teksa shtoi se nuk kanë parë asnjë interesim për të ngritur zërin kur është dashur
“Kemi parë edhe gjatë diskutimeve që janë bërë për Komisionin e Pavarur të Mediave që nuk ka pasur interesim të opozitës për të qenë pjesë, shpesh ata kanë munguar. Nuk kemi parë interesim të tyre për të ngritur zërin kur është dashur”, tha Rexha.