/

Faton Hajrizi nga arratia “ligjëron” në TikTok, Sveçla premton se arrestohet brenda pak orësh ose ditësh

Të shtunën u arratis për të nëntën herë Faton Hajrizi, i cili nga viti 2000 është në burg për vrasjen e një ushtari rus dhe për vepra tjera penale. “Çështje orësh apo ditësh” tha Sveçla për Hajrizin, ndërsa ky i fundit postoi një video 13 minutëshe në “TikTok” ku tregoi për arsyet e arratisjes.

Të shtunën e 6 korrikut, pas mesnate, Faton Hajrizi është arratisur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë. Policia e Kosovës po atë ditë lëshoi një njoftim duke kërkuar ndihmë për arrestimin e  Hajrizit, që tashmë njihet për ikjet nga burgu.

Tashmë janë bërë publike edhe detajet e ikjes së tij. Ai shfrytëzoi çarçafët e shtratit, të cilët i lidhi në radiatorin e dhomës ku ai ishte i vendosur. Në këtë mënyrë, Hajrizi arriti që të largohet nga dhoma përmes dritares në katin e dytë dhe kështu ia doli të depërtojë në katin e parë. Nga aty, Hajrizi e kaloi rrethojën e jashtme të burgut dhe u arratis për të nëntën herë, ka raportuar Sinjali.

Për arratisjen e Hajrizit, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dje në një konferencë për media në Qafë Morinë tha se nuk është shumë i brengosur.

Ai shtoi se arrestimi i Hajrizit është “çështje orësh apo ditësh”.

“Tashmë policia ka bërë angazhimin e saj që të hetojë rastin në plotni, në qoftë arratisjen apo vendndodhjen e tij dhe arrestimin shumë të shpejtë… Policia po punon unë jam i bindur dhe policia shumë shpejt do të vijë me rezultate. Ju po i shihni rezultate e policisë për çdo ditë që të kemi numër minimal të rasteve ku kemi vështirësi në zbulueshmëri, do të thotë zbulueshmëria është maksimale, edhe veprimet e policisë janë jashtëzakonisht efektive. Unë nuk jam shumë i brengosur me këtë duke parë efikasitetin e policisë, është çështje orësh apo ditësh”, ka thënë Sveçla.

Deklaratat e Hajrizit

Hajrizi dje ka postuar një video në rrjetin social “TikTok”. Ai shihet me maskë në fytyrë, pasi tha se është lënduar në faqe gjatë ikjes së tij.

Hajrizi tha se është dashur të jetë në liri e jo në burg, derisa shtoi se “për momentin” nuk gjendet në Kosovë.

“I falënderoj shumë përkrahësit e mi jashtë mase, edhe ata që bëjnë kritika ju përgjigjna pozitivisht, kqyrne mirë jetën tem, ka njerëz që e dinë në detaje jetën tem. Nuk jam ai që policia e pasqyron. Unë jam Faton Hajrizi i cili jam kanë 14 vjeçar në luftë. Unë jam Faton Hajrizi i cili kam vepruar në anën e Ibrit 2006-2007 për të mirën e këtij vendi, unë i kam shti me ikë rojet e Ibrit, unë vetëm. S’po du me u livdu hic për kurgjë, po du me thon që unë nuk jam armik i popullit, unë e du shtetit po shtetin qysh duhet, jo shtetin e sotit. Ju e dini mirë që unë burgun e kom kry qe një vit e gjysmë, u dasht me kanë në liri… Nuk është normale unë me i mbajt 23 vite burg, 15 vjeçar kam rënë në burg e 40 vjeçar jam sot”.

Ai tregoi edhe arsyet e arratisjes nga Smrekonica.

“Me ardhë mbikëqyrësi që në kohën e Serbisë ka qenë oficer e më m’thanë mu qu prej gjumit në ora 09:00, 11:00 e ora 18:00. Nuk është në rregull pse mem zajabat ai mua. Kur bëhet fletërreshtimi, mbikëqyrësi vjen e i numëron të burgosurit zyrtarisht po jo me qit provokime nënstop. Nuk është në rregull, qito mu më kanë shti me marr këtë vendim dhe me dalë përkohësisht në liri. Unë jam i sigurt që pjesën e mbetur, edhe pse nuk pajtohna me këtë drejtësi, ka mu kthy e me mbajt, e di unë kur, kur e shoh që ka ligj, rend dhe pjekën kushtet. Personalisht kam vërejtje të mëdha në burgun e Smrekonicës në tip te hapur, aty unë kam nejt 1 mu je gjysmë asnjëherë s’jam ngi ushqim aty. Avni Miftari ka ardhë prej burgut të Dubravës vec me ia rëndu të burgosurve jetën, qet ligje pa ligj.”

SHKK: Hajrizit i kanë mbetur edhe 7 vite e 6 muaj, janë pezulluar përkohësisht zyrtarë korrektues

Për arratisjen e Hajrizit, Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka lëshuar dje një komunikatë ku thuhet se ai e kishte kërkuar transferimin në Smrekonicë dhe se ishte në proces të avancuar të risocializimit.

SHKK tha se Hajrizi ka mbajtur 17 vjet e 5 muaj dënim dhe i kanë mbetur edhe 7 vjet e gjysmë.

“I dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj. Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024. Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues.”

SHKK ka thënë se Qendra Korrektuese në Smrekonivë ka elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e të dënuarve bazohet në vetëdisiplinë dhe përgjegjësi morale.

Shërbimi Korrektues ka thënë se arratisja ka ndodhur më 6 korrik, në ora 01:06 dhe se janë pezulluar përkohësisht zyrtarët korrektues.

“Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate. Zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave. Lidhur me këtë rast, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues janë duke zhvilluar procedurat hetimore, dhe posa të përfundojë procesi, do të njoftoheni me të gjeturat.”

Rrëfimi i Hajrizit për vrasjen e ushtarit rus dhe ikjen nga burgu i Bondsteelit

Në shtator të vitit të kaluar, Hajrizi në një intervistë në Frontal të T7 rrëfeu se si ia rrëmbeu kallashnikovin ushtarit rus, për ta vrarë më pas. Ai thotë se i ishte afruar atij duke menduar se ishin amerikan. Por kur kuptoi se ishte rus, ai tha se pati një fjalosje.

“Unë në vitin 2000 isha tu shku me çantë në shkollë edhe tu shku në shkollë në sheshin “Adem Jashari”, atëherë nuk ka qenë shesh, unë i kam pa një konvoj të një ushtari të NATO’s për mendimin tim dhe ishin mbledh njerëzit e shanin kur e pyeta njanin tha është ushtar rus dhe unë si i ri ju afrova e pyta a ki revole, tha jo dhe më hini në kry, hypa nalt ia pashë kallashnikovin e kish pas në prehen dhe dola kah ana tjetër dhe ia rrëmbeva kallashnikovin, e mbusha dhe kur doli me ma marr e shkrepa dhe e vrava.”

“Unë jam dorëzu pas dy dite, me prindin tim… Qysh atë ditë, menjëherë ma kanë qitë prindin jashtë dhe më kanë ngreh zhag, më kanë shti në tank dhe më kanë çu në burg të Mitrovicës”, tregon ai.

Ai tha se rusët dëshironin që ai të thoshte se vrasjen e kreu me urdhër të ish-komandantit të UÇK-së, Sami Lushtaku.

“Me çdo kusht donin që unë të them që Sami Lushtaku më ka urdhëru”, tregon ai.

Në këtë intervistë ai kishte treguar edhe për ikjen nga burgu i Bondsteelit, për të cilin tha se është “më e forta”. Ai tha se për ikjet profesionale ka marrë mësime në Burgun e Prishtinës nga “Komandant Teli”, një shqiptar nga Shqipëria.

Ai kishte treguar se si ia kishin futur brenda burgut në Bondsteel një palë dara të pështjellura me pite.

“ Atje janë kanë baraka. E kam pas një dritare të plastikës. E kam shkoq dritaren e plastikës, e janë kanë edhe dy radhë tela. Në pesë mëngjes i kam pre, 7 mëngjes është marrë vesh. Për mendimin tim e kam pas arratisjen ma të fortën”, ka shtuar tutje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.