Gazetarja dhe autorja amerikane Masha Gessen u dënua në mungesë të hënën nga një gjykatë në Moskë për akuzat për përhapje informacioni të rremë në lidhje me ushtrinë ruse. Asaj iu dhanë tetë vite burg.
Zonja Gessen ka lindur në Moskë dhe banon në Shtetet e Bashkuara. Ajo shkruan për revistën “The New Yorker” dhe për gazetën “The New York Times”. Zonja Gessen është ndër kritiket e presidentit rus Vladimir Putin dhe një shkrimtare e vlerësuar me çmime për krijimtarinë e saj.
Policia ruse futi emrin e saj në dhjetor në një listë të personave në kërkim dhe mediat ruse njoftuan se kjo ishte bërë për shkak të deklaratave të saj, gjatë një interviste me një bloger popullor rus në internet, mbi mizoritë në qytetin ukrainas Bucha.
Që nga shtatori i vitit 2022 intervista e saj ka marrë 6.5 milionë shikime në rrjetin YouTube. Në intervistë, zonja Gessen dhe bloggeri Yury Dud diskutonin për mizoritë e bëra më herët atë vit në qytetin ukrainas Bucha.
Forcat ukrainase që rimorën qytetin nga forcat ruse, gjetën të paktën 400 trupa burrash, grash dhe fëmijësh nëpër rrugë, shtëpi dhe varre masive, disa me shenja torturash. Zyrtarët rusë kanë mohuar me forcë që ushtarët rusë të kishin përgjegjësi dhe kanë proceduar penalisht disa personalitete publike ruse që kanë folur për Buchan.
Akuzat ndaj tyre u ngritën bazuar në ligjin rus të miratuar pak ditë pasi filloi sulmi në Ukrainë. Ligji i ri i bëri vepër penale të gjitha shprehjet publike për luftën që devijojnë nga versioni i Kremlinit. Rusia thotë se forcat e saj në Ukrainë godasin vetëm objektiva ushtarake dhe jo civilët.
Zonja Gessen ka dy shtetësi, atë amerikane dhe atë ruse. Ajo jetonte në Rusi deri në vitin 2013, kur vendi miratoi ligje kundër komunitetit LGBTQ+.
Ajo nuk ka gjasa të burgoset në Rusi, nëse nuk udhëton drejt një vendi që ka në fuqi marrëveshje ekstradimi me Moskën.
Që kur filloi sulmin në Ukrainë në shkurt 2022, Rusia ka shtypur me ashpërsi disidencën dhe ka vendosur në objektiv shtetas amerikanë.
Janë ngritur 1,053 çështje penale në Rusi ndaj protestuesve kundër luftës, sipas grupit të të drejtave të njeriut OVD-Info, i cili mbledh të dhëna për arrestimet politike dhe ofron ndihmë ligjore.
Po të hënën, shtetasi rus Richard Rose u shpall fajtor për përhapje informacioni fals për ushtrinë ruse në Bucha, tha OVD-Info. Edhe zoti Rose u dënua me tetë vite burgim.
Sipas OVD-Info, ai ishte shprehur në një video se “masakra në Bucha nuk do të harrohet kurrë… Fashistët rusë nuk do të falen kurrë për këtë”.
Në deklaratën e tij përfundimtare në gjykatë, zoti Rose tha se e konsideron veten të burgosur politik dhe se nuk do t’i ndryshojë pikëpamjet e tij, tha OVD-Info. /VOA