Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, është shpallur fajtor nga Gjykata Speciale.
Tani atij po i shqiptohet dënimi.
Trupi gjykues ka konstatuar se Shala – i njohur si “Ujku” – mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit të atij viti, kishte marrë pjesë në ndalimin arbitrar, torturë dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë. Ndaj tij nuk është shqyrtuar vepra për trajtim mizor, pasi është thënë se ajo është përfshirë në veprën e torturës.
Në konstatim është thënë se viktimat e këtyre krimeve ishin persona për të cilët dyshohej se bashkëpunonin me Serbinë ose nuk përkrahnin UÇK-në, dhe të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.
Trupi gjykues ka konstatuar Pjetër Shala kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në krimet e pretenduara, përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe mosmarrjes së masave adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, dhe duke ndihmuar dhe inkurajuar kryerjen e krimeve për të cilat u ngritën akuzat.
Aktakuza fillestare ndaj Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020. Ai u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë. Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023.
Nga Specialja deri tash aktgjykim dënues ka pasur për Salih Mustafën, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn. Në procese janë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi në një rast, dhe në raste të tjera janë Isni Kilaj, Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala.