Kryeministri po bëhet gati për zgjedhjet… e rregullta. Diskutimi për zgjedhje të parakohshme, që mori vrull para dy muajsh, tash ka pushuar. Në një mbledhje të partisë, Albin Kurti ua dha të tijëve disa udhëzime në mënyrë që procesi zgjedhor t’i gjejë “të mirëstrukturuar, të përgatitur dhe të gatshëm”. Ndryshe prej herave tjera, tash atij do t’i duhet të kërkojë vota duke synuar t’i bind sa më shumë njerëz për “punët e mëdha”, që ai thotë se janë bërë. Për ta rritur mbështetjen për LVV-në, anëtarët e partisë i këshilloi ta përdorin edhe një mekanizëm qeveritar.
Fundi i majit shënoi edhe fundin e një përpjekjeje për shpërndarjen e Kuvendit. Një muaj e gjysmë pasi u shpall e dështuar ajo përpjekje që u duk se po bëhej që vendi të shkojë para kohe në zgjedhje parlamentare, s’ka më debat për to.
Kryeministri Albin Kurti gjithsesi po përpiqet që ta përgatisë sa më mirë partinë e tij sa për zgjedhjet e radhës, që sipas tij, tashmë dihet kur do të mbahen: në fillim të vitit të ardhshëm, kur Qeverisë do t’i përfundojë mandati katërvjeçar.
“Tashmë nuk ka dyshim që zgjedhjet janë çështje muajsh. E kur dimë gjëra që janë të afatizuara, nuk ka arsye apo shkaqe që të jemi të papërgatitur”, iu tha ai anëtarëve të partisë në një mbledhje të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën.
Kurti kërkoi “angazhim parreshtur” dhe “takime të vazhdueshme të rregullta” në nivel lokal, ku tha se nevojitet “formalizimi” i pikave të partisë. Duke kërkuar përfshirjen edhe të ministrave e deputetëve në takime edhe nëpër fshatra. Kështu, tha se “edhe qytetarët do ta ndjejnë afërsinë e pushtetit”. Udhëzoi që të ketë “më shumë angazhim” që “këto punë të mira të Qeverisë të promovohen”.
“Kështu që unë ju bëj thirrje edhe nga këtu sot që ditët dhe javët në viijm t’i maksimalizojmë përpjekjet tona në realizimin e objektivave tona, në mënyrë që procesi zgjedhor të na gjejë të mirëstrukturuar, të përgatitur dhe të gatshëm për betejat e radhës të cilat na presin”, tha Kurti.
Ai iu tha të tijëve se “plotësimi i strukturës në pika, përfshirë shtimin e tyre, duhet të ndodh tash, para zgjedhjeve të ardhshme”.
Nga ajo mbledhje, Kurti përmendi “suksese të mëdha” të qeverisë së tij, të cilat tha se janë arsye e mjaftueshme jo vetëm për qytetarët që të mos largohen nga vendi, por edhe për mërgimtarët që të kthehen për të jetuar në Kosovë.
“Tash kemi rritje ekonomike dhe stabilitet institucional, progres shoqëror me qeverisje të mirë, sundim të ligjit e shtrirje të sovranitetit, lëvizje të lirë e pa viza për shumë vende. Këto janë arsye jo vetëm për të qëndruar në Kosovë, por edhe për t’u kthyer në atdhe”, u shpreh Kurti.
Këtë, ai po e bën vazhdimisht, pothuajse në secilën paraqitje. Synimi është që sa më shumë njerëz të binden për këto “punë të mëdha” që janë bërë.
Kurti kërkoi në parti që t’i mobilizojnë vajzat dhe gratë. “Pa këto dy kategori shoqërore nuk arrihen transformime e fitore socio-ekonomike dhe as rezultati i dëshiruar në çfarëdo gare zgjedhore”.
Si një shembull konkret, Kurti përmendi një mekanizëm qeveritar që mund të përdoret për ta rritur mbështetjen.
“Mbështetja e Qeverisë, saktësisht politikat qeveritare e vendimet e shumta për mbështetjen e grave dhe vajzave në shumë drejtime, paraqesin mekanizmin kryesor që ia çelë rrugën strukturës sonë për të qenë më afër atyre”, tha Kurti. “Janë një mori masash, si me punësimin e tyre përmes programeve të ndryshme qeveritare, ashtu edhe në mbështetjen për avancimin e tyre akademik e profesional, veçmas përmes bursave në arsim”.
Kurti nuk duket më i interesuar të diskutojë me partitë opozitare “se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës”, ashtu siç pati thënë pas një darke me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi më 13 maj.
Ai tha para pak javësh se zgjedhjet do të mbahen vitin e ardhshëm pasi “opozita nuk mund t’i shtyjë pafundësisht”.
PDK-ja kishte insistuar që të shpërndahej Kuvendi, me kryetarin e partisë më të madhe opozitare, Memli Krasniqin i cili ishte optimist se pas darkës me Kurtin, për këtë do të merreshin vesh edhe me dy kolegët e tij në opozitë, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Krasniqi ishte pajtuar me Kurtin për opsionin e shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa kryetari i PDK-së thoshte se “është e domosdoshme që kjo të bëhet brenda muajit maj, sepse jashtë muajit maj, nuk ka më kuptim”.
“Në momentin që kalojmë pastaj në faza të mëvonshme, nuk mendoj që duhet.. Ka kuptim zgjedhjet e parakohshme në një periudhë që është 7-8 muaj para zgjedhjeve të rregullta, 3 muaj, 4 muaj para zgjedhjeve të rregullta s’ka asnjë kuptim”, thoshte Krasniqi pas atij takimi.
Por as një letër që ai do t’ua dërgonte më pas Abdixhikut e Haradinajt më pas, s’i bindi ata të ndryshonin qëndrim. Kryetari i AAK-së do t’ia kthente letrën duke i shkruar se “rrugëdalja është një platformë e përbashkët për qeverisje të re, pa Kurtin”.
Nëse Kuvendi do të shpërndahej, presidentja Vjosa Osmani brenda 10 ditësh do të duhej ta shpallte datën e re të zgjedhjeve. Zgjedhjet e parakohshme nuk do të mund të mbaheshin më herët se 30 ditë dhe me vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.
Ajo në fillim të vitit e pati shprehur gatishmërinë që të diskutonte me partitë politike për zgjedhjet e parakohshme, kur kjo temë po bëhej pjesë e diskutimeve publike.
Nëse nuk do të ketë ndonjë lëvizje të papritur pas pushimeve të verës, zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen në fillim të vitit 2025.