Presidenti Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës së Zambias, jo rezidente në Shqipëri, Patricia Chisanga Kondolo.
Kreu i Shtetit e përgëzoi Patricia Chisanga Kondolo për detyrën e re, duke i uruar suksese gjatë ushtrimit të këtij mandati.
Gjatë bisedës u trajtuan çështje të bashkëpunimit dypalësh, si edhe rëndësia e bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare.
Presidenti Begaj theksoi nevojën e afrimit midis dy vendeve në fusha me interes të ndërsjellë, si edhe krijimin e një baze bashkëpunimi në fushat ekonomike dhe kulturore.
Në këtë drejtim u vlerësua rëndësia e shkëmbimit të vizitave në nivele të ndryshme, nxitja e dialogut politiko-diplomatik dhe shfrytëzimi i potencialit për veprimtaritë e forumeve ndërkombëtare.
Presidenti Begaj inkurajoi njohjen e Kosovës nga Zambia si kontribut në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në mungesë të njohjes zyrtare, Presidenti Begaj sugjeroi gjetjen e mënyrave të bashkëpunimit, siç është njohja e dokumenteve të udhëtimit apo realizimi i vizitave dhe promovimi i kontakteve të biznesit mes dy vendeve.