/

Kastrati akuzon VV-në për vjedhje të mandatit: Vetëm në kohën e Millosheviqit kemi parë veprime të ngjashme

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka hedhur akuza në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje për thirrjen e mbledhjes së Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Kastrati i cili është nënkryetar i këtij komisioni, ka thënë se partia në pushtet ka vjedhur mandatin e kryesuesit, që këtë rast është Shemsedin Dreshaj i AAK-së.

“Edhe pas dërgimit të emailit nga kryetari i komisionit hetimor Shemsedin Dreshaj se për shkak të mungesës së kuorumit komisioni vazhdon punën pas pushimeve, sot deputetët e VV-së kanë shkuar në kuvend dhe e kanë zgjedhur jashtëligjshëm kryesuesën e tyre të komisionit DUKE E VJEDHUR kështu mandatin e kryesuesit dhe të zëvendës kryesuesit të komisionit hetimor. Kryesuesi, zëvendës kryesuesi dhe anëtarët e komisionit i emëron me votë VETËM KUVENDI , siç na ka emëruar edhe neve”, ka shkruar ndër të tjerash Kastrati.

Sipas tij, kjo është i jashtëligjshëm dhe është intervistim njëpartiak i Dejona Mihailit. Madje, veprime të tilla sipas Kastratit kanë ndodhur në kohën e kryekriminelit serb, Slobodan Millosheviq.

“Këta janë të njëjtit që me vota të VJEDHURA (në mungesë kuorumi) kanë kaluar Ligjin për Tekstet Shkollore, kështu që vjedhja sot e mandatit të kryesuesit të Komisionit nuk është befasi. Vetëm në kohën e Millosheviqit kemi parë veprime të ngjashme kur merrej e suspendohej mandati dhe kompetencat e deputetit në këtë mënyrë. Me këtë lëvizje këta qëllimin e kanë me zhvendos vëmendjen nga HETIMI I NAGAVCIT PËR SHPENZIMIN 11 MILIONËSH për tekstet shkollore. Nuk do të zhvendoset vëmendja. Ne do të vazhdojmë intervistimin e dëshmitarëve sipas njoftimit të kryesuesit z.Dreshaj, ndëra ky intervistim sot është i jashtëligjshëm. Ky është intervistim njëpartiak i DEONA MIHAJLAVE”, ka shkruar tutje Kastrati, teksa ka cituar edhe Ligjin në fuqi për hetimin Parlamentar.

“Sipas Ligjit në Fuqi për Hetimin Parlamentar neni 10 : ” kryesuesi i komisionit emërohet nga kuvendi….nga radhët e grupi parlamentar që nuk është iniciator i themelimit të komisionit dhe NUK I PËRKET PARTISË SË KOALICIONIT QEVERISËS. Zëvendës kryesuesi emërohet nga kuvendi me propozim të iniciatorit ose grupit iniciator të Komisionit”. Kjo sot është shkelje e ligjit, shkelje e vendimit të kuvendit për themelimin e këtij komisioni dhe duhet të hetohet nga prokuroria speciale ashtu siç duhet të hetohet krejt procesi i dyshimt 11 MILIONËSH i shpërndarjes së teksteve shkollore nga MASHT. Tashmë u mësuam me ta, kështu që nuk kemi nevojë të themi sa marre është kjo, sepse këta veç marre nuk kanë”, u shpreh Kastrati.

Leave a Reply

Your email address will not be published.