Organizata D+ përmes një komunikate për media ka reaguar lidhur me temën e shumë diskutuar rreth kontratës për “Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit”. Sipas kësaj organizate, Komuna e Prishtinës e ka shkelur ligjin me këtë kontratë, meqë në komisionin për vlerësimin e tenderëve ka qenë pjesë Kreshnik Ferizi, që s’ishte pjesë e Komunës së Prishtinës.
“Anëtari i komisionit për vlerësimin e tenderëve, z. Kreshnik Ferizi, nuk ishte pjesë e Komunës së Prishtinës, duke qenë se kontrata e tij me Komunën e Prishtinës kishte përfunduar me datën 31.12.2022, konfirmuar nga Zyra e Burimeve Njerëzore në Komunën e Prishtinës. Komisioni i vlerësimit të tenderit për kontratën “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, përfundoi raportin dhe vlerësimin e ofertave me datën 29.05.2023, pesë muaj pas përfundimit të angazhimit të z. Kreshnik Ferizit me Komunën e Prishtinës”, thuhet në reagimin e D+, raporton Express.
Në reagimin e tyre thonë se rregulloret e përcaktojnë se si funksionin caktimi i anëtarëve për komision vlerësues të tenderëve. Nga kjo organizatë pretendojnë se ka edhe dyshime për konflikt interesi, meqë sipas tyre në njërën prej kompanive fituese, emri i Kreshnik Ferizit figuron si bashkëpunëtor.
“Përveç pjesëmarrjes së paligjshme në komision të vlerësimit të tenderit, ekziston dyshimi i bazuar për konflikt të interesit, duke qenë se grupi i operatorëve ekonomikë “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit (Ardi CC L.L.C; Anarch Sh.P.K) të cilët u shpallën fitues nga komisioni vlerësues ku anëtar ishte z.Kreshnik Ferizi, ofertuan me dokumentacion, ku vetë z.Kreshnik Ferizi figuronte si bashkëpunëtor i kompanisë “Anarch Sh.P.K”.”, thuhet në reagim.
D+ ka bërë thirrje që Komuna e Prishtinës të anulojë këtë kontratë dhe që Prokuroria të nis hetimet për të gjithë aspektet e këtij tenderi.
“Bazuar në këto të dhëna, D+ i bën thirrje Komunës së Prishtinës të bëjë anulimin e kësaj kontrate, si dhe prokurorisë të ndërmarrë veprime për të hetuar të gjitha aspektet e këtij aktiviteti të prokurimit, duke përfshirë procesin e vlerësimit, kriteret e përzgjedhjes dhe çdo konflikt të mundshëm interesi. Garantimi i transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në këtë çështje është thelbësore për ruajtjen e besimit të publikut”, përfundon reagimi.