Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe lideri i VV-së, Albin Kurti, s’ka marrë pjesë në takimin e sotëm të ftuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve të rregullta. Presidentja Osmani ka treguar se nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, kishte shprehur vullnet që të marrë pjesë në takim në vend të Kurtit, megjithatë diçka e tillë s’ka qenë e mundur meqë Presidenca ka respektuar parimin e njëjtë për të gjitha partitë politike.
Në konferencën për media Osmani ka treguar se ftesa e parë për këtë takim të 31 korrikut i kishte shkuar kryetarit të VV-së, Albin Kurtit, i cili edhe kishte konfirmuar se data është në rregull.
“Ne i kemi ftuar të gjitha partitë. Ftesa e parë i ka shkuar kryeministrit, njëkohësisht kryetarit të VV-së, pasi ma ka konfirmuar që data është në rregull për të, ftesat iu kanë shkuar të gjitha partive politike sipas madhësisë. Të gjithë e kanë ditur që takimi mbahet më 31 korrik. E falënderoj nënkryetarin e VV-së që ka shprehur gatishmëri të vijë, por është dashur të aplikohet parimi i njëjtë për të gjitha partitë. Në sytë e presidencës të gjitha partitë duhet të trajtohen njësoj”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani ka thënë se ua ka ofruar mundësinë partive që të dërgojnë edhe komentet e tyre me shkrim, por ka thënë se nga VV s’ka arritur ndonjë letër deri në momentet që po fliste në konferencë.
“Nëse do të kërkojë VV konsultime apo jo, s’mudn të flasë për këtë. Iu kam ofruar që të dërgojnë qëndrimin me shkrim, por së paku deri në këtë momente nuk e kanë dërguar”, ka thënë Osmani.