Në zgjedhjet e ardhshme, votimi me kusht nuk do të jetë i mundur në çdo qendër të votimit, por vetëm në disa prej tyre.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, përmes një videoje informuese.
Ai ka thënë se KQZ do ta publikojë në webfaqe listën e qendrave të votimit ku do të mund të votohet më kusht.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar në vitin 2023 ka bërë disa ndryshime edhe lidhur me votimin me kusht. Votimi me kusht është i mundur sërish, por ky lloj votimi nuk do të mundësohet në çdo Qendër Votimi ashtu siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore. Në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, KQZ do të caktojë Qendrat për Votim me Kusht. Lista e tyre do të publikohet në ueb faqen e KQZ-së dhe mjetet tjera të informimit”, thuhet në videon informuese të prezantuar nga Elezi.