Mimoza Kusari-Lila e bindur se ura e Ibrit do të hapet

Ndërkohë që po kryhen testimet e fundit për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, shprehu qëndrimin e saj për hapjen e urës.

“Aktualisht nuk po mundet të definohet nga askush, në fakt nga kritikët apo ata që thonë se ura nuk duhet të hapet, se mbi cilin parim një urë që duhet të lidhë njerëzit dhe që gjendet në pjesën më jugore të Veriut të Kosovës, nuk bën të hapet për transportin e automjeteve, përderisa automjetet me tabelat e Republikës së Kosovës, prej cilitdo cep të vendit, shkojnë deri në kufirin më verior të vendit,” deklaroi Kusari-Lila.

Ndër të tjera Kusari-Lila tha se urat shërbejnë për lidhjen e njerëzve me njëri-tjetrin dhe është e bindur që do të hapet.

“Unë jam e bindur se ura do hapet, sepse duhen hapur për lidhjen e njerëzve, jo për ndarjen. Më shumë sesa të diskutojmë në rrafshin politik, të diskutojmë në rrafshin njerëzor dhe simbolik. Ura ka penguar dhe parandaluar në njëfarë forme integrimin e mirëfilltë të katër komunave në veri. Kur ka aq shumë aktivitete në këto katër komuna, të kesh një urë që lidh Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut të mbyllur është paradoksale,” shprehet Kusari.

Kjo urë që e ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe, ishte bllokuar për herë të parë pas luftës në vitin 1999.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës thotë se kurdo që të merret vendimi për hapjen e Urës së Ibrit do të marrin masat e nevojshme, derisa potencojnë bashkëpunimin me KFOR-in dhe EULEX-in.

Leave a Reply

Your email address will not be published.