Çfarë u tha gjatë ditës për çështjen e hapjes së urës së Ibrit

Ndryshe prej ditëve tjera, të mërkurën mbi Urën e Ibrit u panë edhe autoblindat e KFOR-it.

E të njëjtit qëndruan disa minuta në këtë hapësirë.

Një natë më parë, Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se janë të gatshëm që të veprojnë për çdo zhvillim të rëndësishëm që lidhet me sigurinë.

“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thuhet nga KFOR-i.

E në mbledhjen e Qeverisë, për hapjen e Urës së Ibrit foli edhe i pari i ekzekutivit.

Albin Kurti tha se hapja e saj nuk është kundër askujt.

“Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçmas kundër partnerëve ndërkombëtarë”, tha Kurti.

E ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se po kujdesen që të mos ketë asnjë incident në këtë pjesë.

“Ne e marrim shumë seriozisht mirëqenien e ushtarëve amerikanë. Ata janë ushtarët më të dashur të KFOR-it, të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne po i vazhdojmë koordinimet dhe konsultimet tona me partnerët, përfshirë KFOR-in me qëllim që gjithçka të shkojë mirë e të mos ketë asnjë incident e lëre më, më shumë”, tha ministri Krasniqi.

Nga ana tjetër, njohësi i zhvillimeve politike Mazllum Baraliu thotë se ndërkombëtarët duhet të tregojnë se pse nuk po e përkrahin hapjen e saj.

Aktualisht, Ura e Ibrit në mes Mitrovicës së Jugut dhe Veriut, është e hapur vetëm për këmbësorë.

Të premten është kryer testimi i kësaj ure për qëndrueshmëri dhe sipas raportit preliminar ka dalë funksionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published.