Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me mbylljen përfundimisht të komunave ilegale serbe në veri.
Zeqiri u shpreh referuar këtyre veprimeve, se është koha që objektivat e Serbisë të çrrënjosen nga Kosova.
“Ka ardhur koha të hiqen ato objekte të komunave ilegale serbe, ka pasur edhe më herët tentativa, po tani po bëhet”, tha ai.
“Objektivat e Serbisë duhet të çrrënjosen nga këtu”, deklaroi ai.
Më 30 gusht, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se është bërë mbyllja e pesë institucioneve paralele ilegale në veri.
Ai kishte njoftuar se komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë “Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit”.
Pikërisht në këto objekte, sot në praninë e forcave të Policisë janë vendosur pllakatet e dikastereve të qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.