Bedri Elezi, ekspert i sigurisë, shprehu shqetësim të thellë për situatën e sigurisë publike në Republikën e Kosovës.
Ai theksoi se cenimi i sigurisë publike është rezultat i aktiviteteve që tregojnë se qytetarët e Kosovës po marrin ligjin në dorë dhe po përdorin armë të gjata, siç ishte rasti i përdorimit të 100 plumbave.
Elezi kërkoi që institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Drejtorinë për Siguri Publike, të ndërmarrin masa urgjente për të krijuar plane operative që do të ndihmojnë në parandalimin e rasteve të tilla dhe për të përmirësuar besimin e qytetarëve në institucionet e zbatimit të ligjit.
“Vërtetë jemi shumë të shqetësuar me sigurinë publike në Republikën e Kosovës dhe krejt kjo për shkak të zhvillimeve që janë duke ndodhur në pjesën e sigurisë publike. Fakti që në rastin konkret referuar policisë së Kosovës janë përdoru 100 plumba tregon se në çfarë mase është cenuar siguria publike dhe se në çfarë niveli janë rrezikuar qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët mund të ishin në zonën ku ka ndodhur ky rast, Institucionet e Republikës së Kosovës ,Ministria e punëve të Brendshme ,Drejtoria për Siguri Publike e cila është themeluar pikërisht për të hartuar plane të caktuara për parandalimin e rasteve të tilla duhet urgjentisht të marrë masa për të krijuar plane operative sidomos te krijimi i besimit të qytetarëve në institucionet e zbatimit të ligjit dhe më pas të krijojë edhe raporte të cilat mund të shfrytëzohen si matje për të konstatuar gjendjen aktuale dhe për të marrë veprime krahas konstatimeve që bëhen”, u shpreh Elezi.
Ai theksoi nevojën për një kontroll të rreptë të armëve dhe për trajnime të detyrueshme për përdoruesit e armëve.
Elezi nënvizoi se shumë qytetarë përdorin armët pa kuptuar rrezikun real që ato paraqesin, duke u bazuar në pamjet në video dhe filma.
“Sigurisht njëri nga veprimet që duhet ndërmarrë në këto plane operative që i përmenda është ndërmarrja e veprimeve për të larguar nga duart e njerëzve që janë in kompetente dhe për të cilët në pa mundësi për të pasur njohuri rreth rrezikut që bart arma mund të shkaktojnë dhe rrezikimin e përgjithshëm të qytetarëve. Prandaj mund të them që një ndër veprimet e para duhet të ndërmarrim janë të largohen të gjitha armët sidomos nga personat që kanë të kaluar kriminale “, deklaroi Elezi.
Ai kritikoi performancën e dobët të institucioneve të drejtësisë dhe kërkoi masa më të forta për të parandaluar dhe ndëshkuar kriminelët. Elezi theksoi se është e domosdoshme që të largohen armët nga personat me të kaluar kriminale dhe të forcohen kontrollet dhe procedurat për legalizimin dhe përdorimin e armëve.
“Kjo është një performancë e dobët e policisë së Kosovës e prokurorisë dhe e gjykatës të cilët ndajnë dënime të lehta apo veprojnë në baza korruptive ku kriminelët ë caktuar mund të gjejnë drejtësinë duke paguar atë dhe duke përdoru sekserë të ndryshëm të cilët mund të jenë edhe brenda edhe jashtë gjykatave të republikës së Kosovës apo edhe jashtë prokurorisë sepse kemi parë shumë raste ku njerëz janë liruar nga dënimi i tyre siç ishte ky rasti i fundit ku e kanë cenuar edhe lirinë e qytetareve të Republikës ë Kosovës”, përfundoi Elezi.