Kupchan nuk përjashton përshkallëzim të tensioneve në veri: Kemi parë që edhe KFOR-i ka rritur nivelin e forcave

Ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan nuk ka përjashtuar shpërthime dhune pas veprimeve të fundit nga Qeveria e Kosovës në veri.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai tha se KFOR-i tashmë ka rritur nivelin e forcave, duke iu referuar trupave që qëndrojnë mes Urës së Ibrit.

“Ne kemi parë tashmë shpërthime dhune. Nuk besoj se po shkojmë drejt një dhune të madhe, por nuk përjashtohet. Kemi parë që edhe KFOR-i e ka rritur nivelin e forcave. Ditëve të fundit, kam parë fotografi të trupave që qëndrojnë mes urës së Ibrit. Supozoj se mund të jenë shqetësuar për kalimin e mundshëm të aktivistëve, që do të përpiqeshin të nxisnin telashe. Është një moment i tensionuar dhe për mua kjo është një nga arsyet përse komuniteti ndërkombëtar e ka ngritur nivelin e vigjilencës”, tha ai.

Kupchan ka folur edhe për mbështetjen e Kosovës nga ShBA-ja dhe NATO-ja, nëse ato mund t’ia kthejnë shpinën.

“Unë nuk besoj se kjo është një pikë kthese në mbështetjen e Perëndimit për Kosovën. Por, është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës ta kenë parasysh faktin se po të mos ishin përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, përpjekjet e NATO-s dhe të partnerëve evropianë të Amerikës, Kosova ndoshta nuk do ta gëzonte pavarësinë sot.Për rrjedhojë, ju nuk dëshironi ta rrezikoni mbështetjen e jashtme, që në shumë aspekte është thelbësore për sigurinë tuaj dhe për qëndrueshmërinë tuaj si vend i pavarur”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse mendon se Qeveria e Kosovës mund të gjejë ndonjë mes – edhe të shtrijë ligjshmërinë dhe sovranitetin, edhe t’i ruajë marrëdhëniet e mira me komunitetin ndërkombëtar, ai tha:“Realiteti është se hapat që po ndërmerr Kurti, nuk janë të paarsyeshëm nga këndvështrimi i ushtrimit të pushtetit sovran. Atë që po bën Prishtina, do ta bënte çdo qeveri sovrane.

Nëse në Teksas, për shembull, Meksika do të hapte institucione paralele dhe do të ofronte kujdes shëndetësor, siguri dhe lloje të tjera shërbimesh komunale, Shtetet e Bashkuara nuk do të ishin të lumtura dhe, në fakt, do t’i mbyllnin ato institucione paralele.

Kështu që, nga perspektiva e autoritetit politik dhe ligjor, ajo që po bën Kurti, ka shumë kuptim. Por, problemi është se Kosova nuk gjendet në një mjedis të qetë.

Ajo gjendet në një mjedis të tensionuar, në një rajon të vështirë, në mes të negociatave shumë të vështira me Serbinë për njohjen e saj, për hyrjen e saj në bashkësinë ndërkombëtare të kombeve, si një vend që do të pranohej nga të gjithë.

Në rrethana të tilla, unë mendoj se i takon udhëheqësit – kushdo qoftë ai – që të balancojë ushtrimin e sovranitetit, të të drejtave politike dhe ligjore me synimin për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë dhe për t’u bërë vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, deklaroi Kupchan.

Leave a Reply

Your email address will not be published.