Ish-zëdhënësi i NATO-s: Kosova të angazhohet plotësisht në dialog, është rruga më e mirë

Ish-zëdhënësi i Aleancës Veriatlantike të NATO-s gjatë kohës së luftës në Kosovë, Jamie Shea, po vlerëson se Kosova duhet t’i kthehet dialogut, anise sipas tij, ky proces mund të jetë zhgënjyes.

”Ky Dialog mund të jetë zhgënjyes, por ai përfaqëson rrugën më të mirë përpara drejt zgjidhjeve të qëndrueshme dhe është e rëndësishme që qeveria e Kosovës të angazhohet plotësisht në të”.

Madje sipas tij, në këtë kohë tensionesh, një fazë qetësie do t’u kontribuonte shumë negociatave.

”Një periudhë qetësie në veri të Kosovës mund të ndihmojë në krijimin e një konteksti më të mirë për Dialogun Beograd-Prishtinë, i cili duhet të rifillojë në vjeshtë me marrjen e detyrës nga lidershipi i ri i BE-së”.

Kjo referuar tensioneve të paralajmëruara, me rastin e mbylljes së objekteve të komunave ilegale serbe në veri.

”KFOR-it tashmë i është dashur të vendoset gjatë gjithë gushtit në urën e Mitrovicës për të ruajtur sigurinë. Kështu që konsultimet e ngushta ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare në terren janë më të rëndësishme se kurrë në këtë kohë të tensionuar në rajon”.

”Do të jetë shumë më e lehtë që strukturat paralele të shpërbëhen në mënyrë paqësore në kontekstin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe një proces që siguron komunitetin serb për vendin e tij të ardhshëm në Kosovë”, tha ai për Klan Kosova.

Shea i cili e njeh mirë rajonin e Kosovës sa i përket sigurisë, dha disa rekomandime, ku sipas tij ka diçka që duhet të jetë primare.

”Pas një numri incidentesh të dhunshme në veri gjatë 2 viteve të fundit, prioriteti kryesor për momentin është krijimi i besimit ndërmjet komunitetit kosovar dhe atij serb përmes një dialogu dhe një strategjie efektive komunikimi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.