Çfarë po ndodh me Lajçak-un: Emisar deri në janar – zhvillimet e “paparashikuara” ia marrin postin e ambasadorit në Zvicër

Më të parin e këtij muaji, sllovaku Miroslav Lajçak, ishte planifikuar që të linte rajonin problematik të Ballkanit dhe të niste një punë të re si ambasador në një shtet mjaft të qetë për nga zhvillimet – Zvicër.

I nominuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE’së Josep Borell në prill të këtij viti për Zvicër, Lajçakut në muajin korrik Këshilli i Bashkimit Evropian ia zgjati edhe zyrtarisht mandatin e ndërmjetësit në bisedimet Kosovë-Serbi deri më 31 janar 2025.

Ky vazhdim ia kishte vënë kapakun të gjitha dilemave për një emisar tjetër. Për postin, muajt e kaluar kishte demonstruar interesim ish-Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor, i cili madje e kishte zyrtarizuar kandidaturën të mbështetur edhe nga vendi tij anëtar i BE’së.

Institucionet e BE’së ende nuk e kanë kryer plotesisht tranzicionin e udhëheqjes së re që doli nga zgjedhjet europiane të majit.

Por, edhe pse Lajçakut iu zgjat mandati, atij nuk i ka ra ta ushtrojë shumë “pozitën” pasi dialogu aktualisht është i bllokuar.

Diplomati është shfaqur më shumë në forume rajonale ku është diskutuar edhe për dialogun. Në një të tillë ai s’arriti ta takojë Presidenten Osmani, e cila e pati agjendën shumë të ngjeshur për sllovakun.

Sidoqoftë, Bashkimi Europian mbrëmë ka njoftuar se Miroslav Lajçak, nuk do ta marrë postin e ambasadorit në Zvicër. Për arsyen BE foli në terma të përgjithshme.

“Për shkak të zhvillimeve të paparashikuara, ambasadori i caktuar i BE-së për Zvicrën dhe Principatën e Lihtenshtajnit, z. Miroslav Lajčák, përfundimisht nuk do të marrë postin në Bernë. Prandaj, mandati i ambasadorit aktual të BE-së, Petros Mavromichalis, në detyrë që nga shtatori 2020, është zgjatur deri më 31 gusht 2025”.

Pas këtij njoftimi, diplomati grek Mavromichalis doli me një postim në X ku tha se “mezi pret” të kalojë edhe një vit në Bernë.

Një media zvicerane e interpretoi këtë si shtyrje të ndërrimit të ambasadorit në Bernë, pasi Lajçakut i është vazhduar mandati në çështjen e dialogut.

Bashkimi Europian më 26 korrik kishte njoftuar për zgjatjen e mandatit të Lajçakut deri më 31 janar 2025. Por, tash nuk dihet nëse do të ketë zëvendësues të Lajçakut vitin e ardhshëm siç ishte në planet e BE-së që me ardhjen e kryediplomatit të ri të ketë edhe një udhëheqës të ri në dialogun Kosovë-Sebi.

BE nuk specifikoi se çfarë ishin “zhvillimet e paparashikueshme”- nëse kjo lidhet me bisedimet.

Blloku europian së fundi ka reaguar disa herë që Kosova po ndërmerr veprime të njëanshme në veri të vendit me synimet e shprehura të saj për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të veturave, si dhe për një operacion policor që mbylli pesë objekte të komunave paralele të Serbisë në Kosovë.

BE, po ashtu, ishte në proces të heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës që u vendosën për shkak të tensioneve të vitit të kaluar, por nuk e ka ndërmarrë asnjë lëvizje për finalizimin e tyre deri më tani përveçse shtoi paralajmërimet se ato mund edhe të zgjerohen nëse Kosova vazhdon me “hapa të njëanshëm”.

Emisari Lajçak dje ka qëndruar në Kosovë ku u prit nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Në prononcimin e tij të zakonshëm pas takimit, Lajçak tha se Serbia ka tërhequr letrën e dërguar nga ish-kryeministrja Ana Bërnabiq ku Serbia ishte tërhequr nga Marrëveshja e Ohrit. Ai u zotua se marrëveshja është ende valide.

“Jo, Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe po punojmë në zbatimin e saj. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe po diskutojmë me Kosovën dhe Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin”, tha dje Lajçak.

Ai tregoi që po ashtu është dakorduar një takim i ri në dialog në nivel kryenegociatorësh, por hezitoi që të japë datën se kur do të mbahet ky takim.

BE ka insistuar që çështja e hapjes së Urës së Ibrit duhet të diskutohet edhe në tavolinën dialoguese, një gjë që Kosova e ka kundërshtuar meqë e konsideron marrëveshje të përfunduar.

Lajçak tha se për këtë çështje ka diskutuar me Bislimin dhe përsëriti qëndrimin e BE-së.

“Besoj se qëndrimi i BE-së është i njohur, por do ta përsëris: ura duhet të hapet, por hapja e saj duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe ne diskutuam për detajet e kësaj”.

Ai nga Prishtina nuk shkoi në Beograd siç bën zakonshëm.

Lajçak në mandatin e zgjatur do të ketë në krye shefen e re të diplomacisë së Unionit, Kaja Kallas, qasja e së cilës ndaj Ballkanit Perëndimor mbetet të shihet se si do të jetë.

Lajçak, ish-ministër i Jashtëm i Sllovakisë, u emërua për herë të parë në krye të dialogut Kosovë-Serbi dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor më 2 prill 2020.

Si ndërmjetës si është akuzuar nga pala kosovare shpesh si i njëanshëm në favor të Serbisë, ndonëse pala kosovare asnjëherë s’e ka ndërprerë bashkëpunimin me të.

Dje Lajçak u kritikua nga pala serbe. Petkoviq e akuzoi atë për deklaratën në Prishtinë duke thënë se e hoqi nga agjenda e Brukselit hapjen e Urës së Ibrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.