Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se çështja e Kosovës është shumë e vështirë, dhe se qëndrimi i Uashingtonit është se dialogu që është vendosur është mënyra më e mirë dhe e vetme për zgjidhjen e çështjes.
“Komunitetit serb duhet t’i jepet një perspektivë se cila do të jetë e ardhmja e tyre përmes dialogut”, ka thënë Hill për televizionin serb, RTS, ku ishte i ftuar me rastin e përvjetorit të sulmeve terroriste në SHBA.
Hill ka thënë se SHBA janë sinqerisht të përkushtuara për vazhdimin e “suksesit të Serbisë”, e cila, sipas fjalëve të tij, “është një vend ku duhet llogaritur”.
Ai mendon se duhet të jemi optimist për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe bashkëpunimin me BE-në, me vlerësimin se “perspektiva evropiane për Serbinë po forcohet çdo ditë e më shumë”.
“Është e rëndësishme që SHBA të mbështesin BE-në në procesin e zgjerimit dhe të mbështesin Serbinë për t’u anëtarësuar”, ka shtuar ai.
Sipas tij, pas sulmeve terroriste në Nju Jork dhe Uashington në vitin 2001, bota u bashkua në luftën kundër terrorizmit.