Thirrjet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për riintegrimin e serbëve në veri të Kosovës, u mirëpritën nga Bashkimi Evropian si një lëvizje pozitive, por nuk u komentuan fare nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga partia e Kurtit, tha para gazetarëve se një veprim i tillë do të ishte antikushtetues.Anëtarja e kabinetit të Kurtit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se Vuçiq, me kërkesat e tij, synon të vazhdojë “instrumentalizimin e serbëve” të Kosovës.
Pse serbët i braktisën institucionet dhe çka kërkoi Vuçiq?
Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022.Kjo pasoi indinjatën e tyre me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.
Nga ajo kohë, kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u zëvendësuan me udhëheqës shqiptarë, pasi komuniteti shumicë serb në zonë i bojkotoi zgjedhjet.
Në gjykata, prokurori dhe polici, punonjësit serbë nuk u kthyen.
Në një adresim më 13 shtator në Beograd, presidenti i Serbisë, Vuçiq, parashtroi disa kërkesa për Kosovën – mes tjerash: kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre, si dhe shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale, të lira dhe demokratike” në veri.
Ndryshe, popullata serbe në veri të Kosovës – e dirigjuar nga Serbia dhe strukturat e saj paralele në vend – vështirë u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës.
Për pasojë, zona shndërrohet shpesh në vatër tensionesh.Integrimi i pjesëtarëve të komunitetit serb në institucionet e Kosovës ka qenë pjesë e disa marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.Duke komentuar kërkesat e Vuçiqit, Konjufca tha se ai po tenton të ruajë në Kosovë “atë që nuk e ka më”.
“Ai, faktikisht, po e kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës së tij për shtyp, mirëpo ky është një kërcenim, i cili, ta them të drejtën, nuk na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi, sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë…”.
“Është shans i humbur i qytetarëve që kanë mendime të tjera për të marrë pjesë në procesin politik edhe për të qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik. Pas kësaj që ka ndodhur, vendi e ka marrë një drejtim të ri”, tha Konjufca.
Këtë vit, Qeveria e Kosovës ndërmori disa hapa – si heqja e dinarit serb nga përdorimi dhe mbyllja e strukturave paralele serbe – në përpjekje për të shtrirë sa më shumë autoritetin e saj në veri.
Vendimet hasën në kritikat e aleatëve perëndimorë, të cilët i cilësuan si hapa të pakoordinuar dhe me rrezik për rritjen e tensioneve.Kërkesat e fundit të Vuçiqit, BE-ja tha se janë pozitive dhe i bëri thirrje edhe Prishtinës, edhe Beogradit që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për REL-in.
Derisa kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, e konfirmuan shkuarjen në Bruksel më 17 shtator, për një takim të mundshëm të përbashkët, një rund i ri i bisedimeve mes Kurtit dhe Vuçiqit nuk duket në horizont.
Për herë të fundit ata u takuan më 14 shtator, 2023.