Kurti shkon të enjten në Bruksel, të njëjtën ditë Von Der Leyen shtron drekë për liderët e Ballkanit

Kryeministri Albin Kurti do të jetë folës në një ngjarje të organizuar nga European Policy Center në Bruksel me temën “Kosova dhe BE-ja: Dinamika aktuale dhe perspektivat”.

Ngjarja do të mbahet të enjten më 19 shtator dhe në po këtë ditë në Bruksel presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, më 19 shtator do të presë për një drekë punë të gjithë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas të gjitha gjasave Kurti do të përfaqësojë Kosovën në tryezën me Von der Lyen, por kjo s’është konfirmuar zyrtarisht.

Qëllim kryesor i këtij takimi është diskutimi për “agjendat e reformave dhe rritjes”, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.

Në agjendën e Von Der Leyen është konfirmuar vetëm takimi, ndërkohë s’është zbuluar se kush do të jenë përfaqësuesit e shteteve të ftuara.

European Policy Center në njoftim tha se me Kurtin do të flasin për aplikimin e Kosovës në BE, pengesat në rrugën e saj drejt integrimit si dhe planet e qeverisë për kapërcimin e tyre.

“Në janar 2024, BE-ja hoqi kërkesat për viza për qytetarët kosovarë – një vendim i shumëpritur dhe i vonuar që shënoi një hap të rëndësishëm përpara në lidhjen e Kosovës me BE-në. Kosova ka ndërmarrë reforma të mëdha – dhe në përputhje me të ardhmen e premtuar brenda Bashkimit Europian si kandidate potenciale – ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2022″.

“Megjithatë, Komisioni Europian nuk ka dhënë një opinion për aplikimin e Kosovës. Ku qëndron Kosova në lidhje me zbatimin e reformave të lidhura me BE-në? Cilat janë pengesat kryesore në rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe si planifikon qeveria t’i kapërcejë ato? Në këtë takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, do të diskutohet për dinamikat dhe perspektivat aktuale për angazhimin më të thellë dhe më të gjerë të Kosovës me Bashkimin Europian”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.