Suhodolli, fshati i Mitrovicës që u përmend në Bruksel si kusht për hapjen e urës së Ibrit, si është puna e tij

Qeveria e Kosovës po përsërit qe disa muaj se ura mbi lumin Ibër do të hapet dhe ndërsa bashkësia ndërkombëtare kërkon që kjo çështje të zgjidhet në dialog, Serbia tashmë e ka paraqitur një kusht për këtë: Suhodolli. Çështja se cilës komunë të Mitrovicës i përket ky fshat, ishte për një kohë pjesë e polemikave midis kryetarit të atëhershëm shqiptar të Mitrovicës së Jugut dhe kryetarit të atëhershëm serb të Mitrovicës së Veriut.

Suhodolli e ndjen më së shumti çdo tension ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në veri të vendit. Fshati në anën veriore të lumit Ibër i takon Komunës së Mitrovicës së Jugut, por të kundërtën e kanë pretenduar serbët që kanë udhëhequr me Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Emri i këtij fshati u përmend të martën në Bruksel, atje ku kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq shkuan për rundin e ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse nuk u ulën përballë njëri-tjetrit. Ndërkombëtarët kanë insistuar vazhdimisht që çështja e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër të diskutohet atje, ndërkohë që Qeveria ka disa muaj që përsërit synimin për hapjen e saj.

Petkoviq, pas takimeve të ndara që edhe ai edhe Bislimi i patën me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se ka kërkuar ripërcaktim të kufirit që e ndan Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut si parakusht për hapjen e urës.

“Në pjesën ligjore kërkojmë respektimin e marrëveshjes ku insistojmë në demarkacion në zonën e Suhodollit si parakusht për hapjen e urës”, tha Petkoviq nga Brukseli, siç raportuan mediat në Beograd.

Në një komunikatë që e lëshoi të martën Zyra e Kryeministrit, u tha se Bislimi në takimin e tij me Lajçakun është shprehur se çështja e urës “tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”.

Për çështjen e kufirit që i ndan dy komunat e qytetit të Mitrovicës, zyrtarët në dy anët e lumit kanë pasur polemika për një kohë.

Agim Bahtiri i cili ka qenë kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, thoshte në shkurt të vitit 2016 se sipas Planit të Ahtisaarit, fshati Suhodoll, i ndarë në të epërm dhe të poshtëm, i ka takuar komunës jugore, ndërkohë që kufiri që e ndan me komunën veriore, është përtej shtëpive të fshatit.

“Problemi thelbësor është që vijën administrative ta kufizojnë me lumin Ibër dhe jo të ndalen këtu , por deri në Zubin Potok. Ky është qëllimi i tyre, i cili asnjëherë nuk ka për tu realizuar përderisa unë jam kryetar. Përcaktimi i kufijve është bërë në shkallën që është përmbi të gjitha shtëpitë e Suhodollit, i cili në atë kohë quhej i epërm dhe u ulët”, shprehej atëherë Bahtiri.

Me Planin e Ahtisaarit, ai thoshte se “Suhodolli, i poshtëm dhe i epërm, ka mbetur që t’i takojë pjesës jugore”.

Goran Rakiq, që ishte kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut atëherë, thoshte se problemi për ‘pronësinë’ mbi Suhodollin kishte lindur gjatë një procesi zgjedhor ku ai thoshte se qytetarë të këtij fshati kishin marrë pjesë në zgjedhjet komunale në Mitrovicën e Veriut. Ai pretendonte se përfaqësues të këtij fshati punonin dhe merrnin pjesë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut.

“Unë mendoj se këtu nuk ka asnjë problem rreth këtij demarkacioni, përveç disa problemeve politike, sepse nuk mund ta kemi një situatë ku në procesin zgjedhor dikush nga autoritetet qendrore në Prishtinë i ka ‘mashtruar’ qytetarët duke u thënë se ata janë qytetarë të Mitrovicës së veriut, ndërkaq, tash kur procesi zgjedhor është i përfunduar dhe ata i kanë përfaqësuesit e tyre në Kuvend, atëherë dikush thotë se ata nuk janë banorë të komunës së Mitrovicës së Veriut, por janë të Mitrovicës së Jugut. Ky është problemi i vetëm”, shprehej Rakiq atëherë.

Bahtiri përmendte gjithashtu një gabim që “nuk është dashur të bëhet”.

“Nuk i kanë legalizuar njerëzit që në letërnjoftimet e tyre të shkruhet vetëm ‘Suhodoll’. Dhe, ata kanë votuar ne pjesën e veriut, pa e ditur Komisioni Zgjedhor, i cili nuk i lejon ata të votojnë në atë pjesë. Tash janë duke i përmirësuar, që qytetarët që janë vetëm në Suhodoll, që i takon pjesës jugore, janë duke e bërë ndërrimin. Në të ardhmen nuk do të kemi problem”, deklaronte Bahtiri.

Rakiq pretendonte që fshati “të mbetet ashtu siç ka qenë në procesin zgjedhor” atëherë.

Për këtë, Bahtiri dhe Rakiq kishin biseduar edhe me institucionet qendrore, por edhe me përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë. Por, çështja ka mbetur pa u zgjidhur.

Ndërsa Bislimi të martën ndodhej në Bruksel për rundin e ri të dialogut, Osmani paralajmëroi nga Prishtina se do të shkelej sovraniteti dhe Kushtetuta e Kosovës “në qoftë se dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë”.

“Sa i përket temave, për atë duhet ta pyesni kryenegociatorin se për çfarë tema është dakorduar, sepse është thënë në publik se janë dakorduar për disa tema së bashku me zotin Lajçak. Mirëpo, po e përsëris, në qoftë se dikush bën dialog për urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit, e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë”, tha Osmani.

Ajo tha në një konferencë për media se çështja e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë “patjetër duhet të diskutohet, të dialogohet me partnerët tanë të sigurisë”, sepse “edhe vetë marrëveshjet e Brukselit e kërkojnë një gjë të tillë”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha të martën se ura do të hapet, ndërsa përmendi koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe bisedat në Buksel.

“Ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt. Unë jam i bindur se pas bisedimeve dhe koordinimit të nevojshëm me KFOR-in, i cili është prezent aty, por edhe bisedave në Bruksel, shumë shpejt do të kemi një situatë tjetër”, tha ai për Deutsche Welle-n në gjuhën shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published.