KE-ja nuk ua jep miliardat që u takojnë Kosovës e Serbisë pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve

Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka bërë të ditur për të përfituar nga fondi 6 miliardësh i Planit të Rritjes së BE-së, për Kosovën dhe Serbinë ekziston parakushti për angazhim konstruktiv në procesin e normalizimit të raporteve dhe në implementimin e plotë të gjitha obligimeve që dalin nga Marrëveshja e fundit Bruksel-Ohër dhe marrëveshjeve të kaluara.

Përveç këtij parakushti që Kosova dhe Serbia duhet ta plotësojnë, të dy shtetet duhet të plotësojnë edhe kushtet e përgjithshme të vendosura nga BE-ja, në mënyrë që të mund të përfitojnë nga përkrahja financiare evropiane.

“Të gjitha parakushtet dhe kushtet e përgjithshme duhet të plotësohen për çdo pagesë. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, ekziston gjithashtu një parakusht i përgjithshëm që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me synim zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, dhe të angazhohen në negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Nga KE kanë përsëritur se normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë është kusht thelbësor për rrugën evropiane të të dyja vendeve dhe se të dy shtetet rrezikojnë të humbasin shumë në rast të mungesës së progresit.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve. Të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”, ka potencuar ky zëdhënës i Komisionit Evropian.

Ndonëse nga shtete të ndryshme janë dhënë edhe data për atë se kur do të mund t’i marrin pagesat e para nga BE-ja në kuadër të Planit të Rritjes, nga Komisioni Evropian kanë treguar se aktualisht janë në fazën e finalizimit të vlerësimit të Reformës së Agjendave që janë paraqitur nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas finalizimit të vlerësimit, do të konsultohen edhe Reformat e Agjendave të shteteve anëtare të BE-së dhe më pas në rast të një vlerësimi pozitiv që jepet nga Komiteti i IPA-s, do të aprovohen Reformat e Agjendave që janë dorëzuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Komisioni Evropian aktualisht është duke finalizuar vlerësimin e tij për Reformën e Agjendave të partnerëve tonë të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë bashkë reformat në fushat thelbësore dhe reformat socio-ekonomike. Në momentin që do të finalizojmë vlerësimin tonë, Komisioni do të konsultoj reformat e agjendave të shteteve anëtarë në Komitetin IPA. Në rast të një opinioni pozitiv që jepet nga Komiteti, Komisioni do të aprovojë Reformat e Agjendave që janë dorëzuar nga përfituesit”, ka sqaruar ky zëdhënës i KE-së.

Në këtë përgjigje, thuhet se qëllimi është që të mundësohet sa më shpejt shpërndarja e atij që quhet si “para-financim”, për të mundësuar nisjen e reformave, në momentin që procedurat finalizohen, përfshirë marrëveshjen e Lehtësimit dhe marrëveshjet e huave me secilin partner.

“Qëllimi është që të mundësohet shpërndarja e para-financimit sa më shpejtë të jetë e mundur për të filluar reformat në momentin që procedurat janë finalizuar, përfshirë edhe Lehtësimin dhe marrëveshjet e huave me secilin partner”, ka potencuar ky zëdhënës i KE.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka njoftuar për takimin që ka pasur me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, me të cilin ka folur pikërisht për Planin e Rritjes. Kurti në këtë takim duke folur për Dialogun për normalizim, që nga KE është vendosur parakusht për të përfituar nga Plani i Rritjes, ka thënë se Kosova ka qenë palë konstruktive në vazhdimësi dhe se është e interesuar në përmbylljen e procesit.

Kurti gjatë këtij takimi me zyrtarin e lartë të BE-së ka dhënë zotimet e tij për zbatimin e Marrëveshjes Ohër-Bruksel dhe Planit të Implementimit.

“Në këtë kuptim, kryeministri ia ka konfirmuar Drejtorit Koopman qëndrimin në mbështetje të Marrëveshjes bazë dhe Planit Zbatues, të arritura vitin e kaluar.Kosova, me këtë, riafirmon përkushtimin e saj për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zotohet për angazhim konstruktiv në proces për ta çuar atë shpejt përpara.

Në këtë kontekst, Kosova zotohet që plotësisht të zbatojë të gjitha obligimet respektive që dalin nga Marrëveshja Bazike për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksi Zbatues i saj, përfshirë aty të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut. Detajet e implementimit do të diskutohen në dialog nën lehtësimin e BE-së”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Kosova mund të përfitojë deri në 945 milionë euro nga ky fond i Planit të Rritjes, përmes realizimit të agjendës së reformave.

Leave a Reply

Your email address will not be published.