Mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes, avokatit Aiden Ellis i tha trupit gjykues që po zbatohen standarde të ndryshme për pranimin e provave të mbrojtjes dhe të prokurorisë.
Deklarata e Ellis erdhi pasi kolegia e tij, Nina Tavakoli e cila është pjesë e mbrojtjes së Thaçit kërkoi që të pranohet në prova materiale një raport i OSBE-së për të cilin dëshmitarja tha se nuk e ka parë më herët, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Kam frikë që po zbatoni një standard tjetër për provat e mbrojtjes dhe tjetër standard për provat e prokurorisë. Ne na është thënë në fillim të këtij blloku të dëshmitarëve që nuk ka rendësi ndonjëherë që e ka parë apo se ka parë dëshmitari përpara një dokument. Kur kundërshtuam ne një rast që ishte i ngjashëm nga ana e Prokurorisë, por… tani do të përcaktojmë ne se a përmbushen kriteret e rregullës 138. A është autentik dokumenti apo ‘prima facie’. ‘Prima Facie’ është absolutisht relevant sepse lidhet me personin në fjalë Marko Jeliq edhe është autentik se është dokument i OSBE-së. Atëherë të zbatohen standardet e pranuara deri tani e për rrjedhojë të pranohet dokumenti”, tha Ellis.
Përpara kësaj, Tavakoli i tha gjyqtarit se nuk kanë arritur që ta shtojnë në prova materiale këtë dokument kur kishte dëshmuar pjesëtari i OSBE-së.
“Atëherë do të doja që të pranohet ky dokument ju lutem sepse është me rendësi për rastin tonë. Do të doja që të pranohet ky dokument. Ne nuk arritëm që ta pranonim këtë dokument përmes Ludvig tani unë se di në çfarë do ta kërkojmë pranimin e këtij dokumenti. Jemi në duart tuaja”, tha Tavakoli.
Lidhur me këtë, Charles Smith III tha që s’ka rrugë tjetër për momentin pasi dëshmitarja nuk ka pasur mundësi që ta identifikoj dokumentin.
“S’ka asnjë rrugë për ju në këtë moment. Ajo nuk mundi ta identifikoj se nuk ka asnjë dijeni për këtë dokument. Unë se di se çfarë synoni që të arrini ju. Problemi është që mbrojtja është rast se si rregull ky dokument do duhej që të pranohej përmes zotit Ludvig. Tani z.Ludvig se kemi më këtu”, tha Tvakoli.
Njëri nga gjyqtaret e trupit gjykues i tha dëshmitares se ekziston mundësia që të dorëzojnë mocion për pranimin e dokumenteve përmes jodëshmitarëve.
Si rrjedhojë erdhi edhe deklarata e Ellis për standardet e ndryshme për pranimin e provave të Prokurorisë dhe të mbrojtjes.
Gjithashtu edhe mbrojtja e Kadri Veselit, Ann Rowan tha se e mbështesin kolegun e tyre Ellis.
“Në rregull, atëherë bëjeni një parashtrim dhe pastaj e trajtojmë”, tha tutje Charles Smith III.
Tavakoli tutje tha që parashtron se duhet të pranohet ky dokument për arsye që sapo i ka parashtruar kolegu i tij Ellis.
Lidhur me këtë pati kundërshtime nga ana e prokurorisë e cila tha se mbrojtja ka mundur që ta kërkojë këtë dokument përmes dëshmitarit Ludvig për çka mbrojtja tha se ka pas kundërshtim për shkak të disa redaktimeve të raportit e që nuk iu ishte lejuar që të bëjnë pyetje.
Gjykatësi urdhëroi që t’i jepej një numër provizor këtij dokumenti dhe pastaj të vendoset më vonë.
Ndryshe, gjatë dëshmisë së saj Jeliq pohoi se bashkëshorti i saj ka punuar si përkthyes për OSBE-në gjatë kohës së MVK-së.
Dëshmitarja tha se nuk është në dijeni që Fred Ludvig dhe personat nga OSBE kryen hetim se çfarë i kishte ndodhur Marko Jeliqit.
“Fred Ludvig ka thënë që është takuar me Ismet Tarën që ju thatë që ishte personi përgjegjës për UÇK-në”, tha dëshmitarja Jeliq.
Me pas asaj iu prezantua një raport nga OSBE-së ku thuhej se në këto incidente në Rahovec kishte edhe persona të përfshirë nga Shqipëria e që ishin jashtë kontrollit të UÇK-së.
“Hetimet tregojnë sidoqoftë se ka përfshirje nga Shqipëria. Ka thashetheme në qytezë se ka dal një grup që ka marrë emrin Banda e Dorës së Zezë. Prezumohet se ky emër nëse ekziston përdorej si sarkazëm kundër serbeve. Duket se ky grup vepron jashtë kontrollit të UCK-së. UÇK-ja shpreh keqardhje për këtë rast”, tha Tavakoli.
Dëshmitarja pohoi ashtu siç kishte thënë edhe për ZPS-në se njëri prej burrave që kishte shkuar në shtëpinë e tyre i kishin thënë se janë nga UÇK-ja e që ka pasur uniformë të kësaj organizate.
Gjithashtu ajo kishte thënë se këta persona ishin fëmijë 19-20 vjeçar gjë të cilën e pohoi edhe sot dëshmitarja.
“Unë thash që dy prej tyre ishin me uniformë dhe njëri ishte me rroba civile dhe asnjëherë nuk kam thënë se ishin të gjithë të veshur me uniformë”, tha Jeliq.
Lidhur me këtë pjesë, dëshmitarja u demantua nga avokatja Tavakoli.
“Kjo është deklarata që keni dhënë ju për SJTF-në. Ju thoni të paktën sipas rreshtit të parë që tre kanë qenë të veshur me uniformë dhe megjithatë tani po thoni që nuk kanë qenë të gjithë të veshur me uniformë dhe ju vazhdoni me tej të thoni që ishin vetëm dy me uniformë”, tha Tavakoli duke kërkuar shpjegim nga dëshmitarja.
Dëshmitarja insistoi në përgjigjen e tanishme të saj.
“Zonjë, burri që mori bashkëshortin tim. Ata persona që erdhën për ta marrë bashkëshortin tim ishin fqinjët tanë, ishin të UÇK-së”, tha Jeliqi.
Dëshmitarja mohoi se ka dëgjuar që në atë kohë kishte banda kriminale që kalonin nga kufiri me Shqipëri e që kryenin krime ndërkohë që ishin të veshur me uniforma të UÇK-së.
Tutje Tavakoli i kujtoi dëshmitares që në seancën përgatitore me ZPS-në kishte thënë që njeri prej burrave kishte një kartë identiteti blu dhe se nuk e njihte këtë person. Këtë gjë e pohoi edhe dëshmitarja.
Dëshmitarja pohoi se ky person nuk ishte nga zona lokale dhe që ky person ishte vetë prezantuar që ishte nga Shqipëria.
“Po, ai ka thënë që ishte nga Shqipëria, me kujtohet kjo”, tha dëshmitarja.
Dëshmitarja pohoi se këta burra ishin kthyer edhe njëherë në shtëpinë e saj dhe që i kishin kërkuar para në këmbim të burrit të saj.
“Ata që kërkuan para dhe morën bashkëshortin tim nuk ishin nga Shqipëria por nga Rahoveci. Të njëjtët persona që e morën erdhën dhe kërkuan para”, tha ajo.