Këto janë bishat e reja të Policisë së Kosovës, xhipa të blinduar me fuqi të madhe

Policia e Kosovës të enjten mbrëmja njoftoi për furnizimin me disa autoblinda dhe automjete të tjera të blinduara, duke publikuar një video të shkurtër të tyre duke qarkulluar njëra pas tjetrës në rrugë. Çfarë modeli janë veturat e blinduara?

Veturat e blinduara, xhipa të zinj, sipas pamjes në video, janë të tipit “Toyota Land Cruiser 300”. Ky model njihet për qëndrueshmërinë në terrene të vështira dhe përdoret nga forca të ndryshme të sigurisë në botë.

Sipas njërës prej kompanive që merret me blindimin e këtij modeli, “Inkas” nga Kanadaja, vetura ka ndërrues automatik me dhjetë shpejtësi, motor me vëllim prej 3,5 litrash, Twin Turbo V6, me benzinë.

Fuqia motorike e veturës është 409 kuaj fuqi dhe tërheq me të katër rrotat, sipas uebfaqes së kompanisë “Inkas”.

Automjeti është 4,97 metra i gjatë, 2,06 metra i gjerë dhe 1,93 metra i lartë. Ka shtatë ulëse, ndërsa rezervuari i benzinës zë 110 litra.

Nuk dihet se cila kompani e ka bërë blindimin e veturave të blera nga Policia e Kosovës, por ato që janë modifikuar nga kompania “Inkas” kanë nivel të mbrojtjes VR7 të certifikuar, sipas uebfaqes së saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.