Që nga orët e hershme të mëngjesit sot janë duke u kryer bastisje në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Lidhur me rastin para gazetarëve shkurt ka folur zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi i cili tha se bastisjet nuk po bëhen te Ministria e Infrastrukturës, por tek Mjedisi.
Ai tha se krejt çka di është ajo që është raportuar në media.
“Në Ministrinë e Infrastrukturës nuk ka asnjë bastisje, as asgjë…Tek Ministria e Infrastrukturës jo, tek e mjedisit nuk di, kam parë lajme, por nuk di asgjë më shumë”, tha ai para gazetarëve.
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka dhënë detaje lidhur me rastin duke thënë se janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale.
Ky rast lidhet me keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë a detyrimeve financiare.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në MMPHI. Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga neni 414 i KPK-së, shpëlarjes së parasë nga neni 302 i KPK-së dhe veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë i pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga neni 430, paragrafi 2 i KPK-së”, thanë nga Prokuroria Speciale.