Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Deklarimin rreth fajësisë, Krasniqi e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Dren Paca, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Plotësisht i pafajshëm”, tha Krasniqi.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se i akuzuari dhe mbrojtësi i tij në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Paraprakisht, prokurori Paca tha se kanë dorëzuar edhe disa prova të cilat nuk kanë qenë në aktakuzë dhe të njëjtat ia kanë dorëzuar mbrojtjes.
Kurse, mbrojtësi i Krasniqit, avokati Vyrtyt Ibrahimaga tha se Prokuroria nuk ua ka dorëzuar aktvendimin për fillimin e hetimeve, e që është e obliguar t’ua dorëzojë të gjitha shkresat e lëndës.
“Prokuroria nuk i ka dorëzuar akoma kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe, këto prova janë bazë në të cilën mbështetet aktakuza… këto prova akoma nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe për të pandehurin dhe për gjykatën”, tha Ibrahimaga.
Andaj, i propozoi Gjykatës që të obligojë Prokurorinë që në afat prej 10 ditësh t’ua dorëzojë aktvendimin për fillimin e hetimeve dhe kontratat për shitblerjen e energjisë elektrike në gjuhën shqipe, në mënyrë që mbrojtja e të pandehurit të ketë mundësi të deklarohet.
Gjykatësi Arben Hoti pas deklarimit të të pandehurit, obligoi Prokurorinë që në afat prej 15 ditësh të ofrojë provat e kërkuara nga mbrojtja.
Kurse, prokurori Paca tha se do ta respektojnë këtë afat, megjithëse i pandehuri kontratat në fjalë i ka nënshkruar në gjuhën angleze dhe i ka kuptuar.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Në aktakuzë thuhet se operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore. Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.
Nga provat e Prokurorisë, thuhet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Regullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRrE, e që janë të regjistruara në Kosovë. Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas rregullores për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.