Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur nga opozita po diskutohet lidhur me furnizimin me ushqim në FSK. Për mospjesëmarrjen në seancë të mazhorancës, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se pushteti kurrë nuk përballet me premtimet e dhëna e kauzat e rrejshme me të cilat kanë ardhur në pushtet.
Sipas tij, janë një sërë arsyesh pse ushtarët largohen nga FSK-ja, duke përmendur këtu manipulimet me gradime, mospagesa për punën jashtë orarit, pagat.
“Duhet ta vë në pah që kështu kanë munguar deputetët e pushtetit kur duhet të përballen me premtimet e papërmbajtura dhe kauzat e rrejshme me të cilat kanë ardhur në qytet. Është fjala që sdo dëshiroja kurrë ta mbaj, të flas për problemet e ushtrisë. Kjo është njëra anë e pasojave të keqmenaxhimit të Ushtrisë sonë. Asnjë ushtarë se ka lënë uniformën për shkak të ushqimit, janë një mori shkaqesh tjera, pagat, manipulimet me gradime, trajnimet jashtë vendit me manipulime, puna jashtë orarit dhe mos-kompenzimi, mungesa e transportit. Kjo qeveri ka agjendë për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Deri sot kanë arritur ta falimentojnë shtetit, e tani edhe në aspektin e sigurisë”, tha Berisha para deputetëve.
Sipas tij, ajo çka po ndodhë sot në FSK është sabotim i qëllimshëm nga pushteti.
Sipas tij Qeveria Kurti shërben në zhbërjen e shtetit të Kosovës.
“Është e papranueshme që FSK të përballet me një gjë të tillë. Kjo çka po ndodh është sabotim i qëllimshëm. Lufta politike që kanë bërë ka qenë në degradimin e vlerave shtetërore. Kjo kulturë denigruese që e kanë instaluar u shpërfaq edhe kur ka protestuar policia dhe arsimtarët, edhe kur Komandati shpërfaqi shqetësimet”, tha ai.