Në prill të vitit 2022 kishte shpërthyer skandali për punësimet në Korporatën Energjetike të Kosovës. Në KEK ishin punësuar familjarë e militantë të zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes.
Kjo temë ishte diskutuar edhe në mesazhet ndërmjet ‘komisares’ së VV-së, Dejona Mihalit me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin.
Për këto punësime, sipas mesazheve, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte dërguar email zyrtarisht në KEK për të kërkuar informacione.
Pas kësaj kërkese, LDK-ja kishte publikuar emrat e punësimeve në një konferencë për media.
“Merre me mend, i bënë konferencat pastaj kërkojnë takim. Këta janë më horra se Isa Mustafa”, i kishte shkruar Mihali ish-kryeshefit të KEK-ut.
“Unë po mendoj mos t’i përgjigjem njëherë”, ia kthen Krasniqi.
“Leje të premten pasdite”, ia kthen Dejona Mihali.
Në një tjetër mesazh më poshtë, ajo i kërkon Krasniqit të ketë kujdes, pasi ‘ata janë të pabesë’.
“Edhe kujdes me ta se janë të pabesë dhe do t’i shtrembërojnë çkado që flet”, i shkruan Mihalit-Krasniqit për zyrtarët e LDK-së.
Diskutimi për LDK-në dhe për skandalin me punësime vazhdon në të tjera mesazhe.
Mihali ia përcjellë Krasniqit njoftimin e LDK-së se do të dorëzojnë kallëzim penal në Prokurori për punësimet në KEK.
Ish-kryeshefi i KEK-ut ia kthen se e ka parë këtë njoftim.
Në ftesën zyrtare për takim që ua kishte nisur LDK-ja për të marrë më shumë informata rreth punësimeve, Nagip Krasniqi zgjedh të përgjigjet. Megjithatë, para se ta kthejë përgjigjen zyrtarisht, ia dërgon Dejona Mihalit për një tjetër verifikim.
Megjithatë, versioni i Nagip Krasniqit nuk pranohet në tërësi nga Dejona Mihali. Kjo e fundit ia jep redaktimet e fundit para versionit final.