/

Kompania “RELUX” fillon eksportin për në Kinë, udhëheqësit flasin për sukseset e sfidat

Kompania “RELUX” e cila merret me prodhimin e të gjitha llojeve të ngjyrave dhe fasadave këtë javë ka filluar edhe eksportet e saja për në shtetin e Kinës.

Nuk është vetëm Kina destinacioni i eksporteve të “RELUX”-it, kjo kompani ka kohë që eksporton edhe për në shtetet si Zvicra dhe Gjermania, raporton Ekonomia Online.

Pronari i kompanisë, Ramiz Gashi, thotë se nuk ka qenë aspak e lehtë të eksportohet në Kinë duke marrë parasysh që Kina është një shtet i madh.

Sipas tij produktet kanë qëndruar 3 muaj në laboratorin shtetëror të Kinës dhe të cilat kanë dalë me një rezultat pozitiv.

“Relux-i kryesisht 30% të eksportit e ka në Gjermani, Zvicër dhe për momentin qysh prej kësaj jave kemi filluar me eksportuar edhe në një treg të rëndësishëm siç është Kina. Nuk ka qenë fare e lehtë të eksportohet në Kinë duke marr parasysh që Kina është një shtet shumë i madh dhe nuk është aspak e interesuar të lejoj çdo import në tregun e vet”.

“Produktet tona kanë qenë të testuara 3 muaj në laboratorin shtetëror të Kinës dhe fatmirësisht kanë dalë produkte të mira me një rezultat pozitiv dhe kjo na ka mundësuar ndërsa në Gjermani ka qenë më e lehtë sepse unë kam nënshtetësi gjermane dhe ka qenë më e lehtë bashkëpunimi me partnerët tanë gjermanë”.

“Relux ekziston si firmë qysh prej mas luftës me import, kemi operuar në atë kohë me dy punëtorë ndërsa para tetë viteve kemi filluar me prodhimin dhe tash për momentin i kemi 25 punëtor” tregon ai.

Por, si shumica e prodhuesve kosovarë edhe Ramiz Gashi ka ankesa se asnjëherë nuk është mbështetur nga institucionet shtetërore dhe i vetëm ia ka dalë të krijojë kontakte me partnerët e jashtëm.

“Duke marr parasysh që jemi kthyer prej Gjermanisë para 12 viteve nuk ka qenë edhe e lehtë të bërit biznes,duke nisur prej leje qëndrimit që më është dashtë për të bërë një kërkesë për të e deri te fillimi i prodhimit nuk ka qenë e lehtë. Ne kemi filluar në atë kohë me importin e ngjyrave dhe fasadave nga Gjermania ndërsa tash të njëjtat ne i prodhojmë”.

“Deri më tani nuk kemi pasur asnjë ndihmë nga institucionet e shtetit ndoshta aty-këtu ndonjë pengesë, por ndihma nuk kemi pasur asnjëherë. Të gjitha kontaktet i kamë bërë pasi unë kam jetuar në Gjermani qysh prej viti 1992 dhe prej aty kanë filluar kontaktet e mia që të jem në këtë biznes”.

Ai bënë të ditur se tash janë duke e instaluar një linjë e cila për vitin e ardhshëm do të jetë e përgatitur.

Sipas tij është teknologjia më e re dhe do të jetë e para te ata.

“Teknologjia e re asnjëherë nuk përfundon, ne për momentin kemi diçka nga teknologjia më e re që është në treg dhe tash për tash jemi duke e instaluar një linjë të re dhe është një ndër më të rejat dhe besoj që vitin e ardhshëm do të jetë e gjitha e përgatitur. Është një teknologji shumë e re dhe e cila në rajon për momentin do të jetë e para te ne” , tha ai për Ekonomia Online.

Punëtorët e Relux-it po ashtu e kanë të paguar transportin dhe ushqimin nga firma madje kanë edhe shpërblime monetare gjatë festave.

Leave a Reply

Your email address will not be published.