Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka bërë një shkrim për shefen e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari Lila dhe për anëtaren e VV-së, Dejona Mihali, të cilat sipas tij, ato janë vegla.
Molliqaj ka thënë se Kusari-Lila e Mihali janë vegla të kryeministrit, Albin Kurti.
Shkrimi i tij:
Dy vegla, një diktat
Dejona Mihali nuk është gogoli grek i kamufluar përmes Shqipërisë. Njëkohësisht, ajo s’ka asnjë pozitë zyrtare në shtet, por qeverisë më shumë se çdo ministër. Ajo tregon kur ndalet rryma, ajo vret e pret nëpër ndërmarrje publike e ministri. Është kështu sepse ajo është Partia që sipas modelit bolshevik i mbivendoset institucioneve.
Mimoza Kusari nuk ka kumari me Serbinë. Ajo negocion me Simiqin e Radojçiqin sepse ajo veç një punë e bën: shërben siç ka shërbyer gjithnjë, qeveri pas qeverie, shef pas shefi. Mimoza është konstantja e servilit që rrin në pushtet sepse përshtatet.
Dy vegla, të dyjat mbrohen me çdo kusht sepse bëmat e tyre janë fjala udhëzim e Kurtit. Jo që mbrohen, bëmat e tyre përbëjnë detyrë patriotike. Sepse kur i shërben Liderit i ke shërbyer historisë, e ka për kërthize t’lidhur historinë Lideri. Kjo është fusha e mbyllur politike që s’lejon demokraci. Për demokracinë duhet tjetri, duhet fusha e hapur që s’i garantohet askujt.