Reagon LDK: Përfshirja direkte e strukturave parapolitike të VV-së në KEK vërteton shqetësimet tona për aktivitetet kriminale e punësime të paligjshme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar lidhur me raportimet për komunikim mes të Dejona Mihalit dhe kryeshefit të KEK-ut Nagip Skenderaj. Në reagimin e LDK-së thuhet se këto vertetojnë shqetësimet e ngritura nga LDK-ja për aktivitetet kriminale, punësimet e paligjshme dhe tenderët sekret, kanë qenë plotësisht të sakta.

“Raportimet e medieve gjatë dy ditëve të fundit, për përfshirjen direkte të strukturave parapolitike partiake të Lëvizjes Vetëvendosje në ndërmarrjen publike KEK dhe së këndejmi në aferat korruptive të Nagip Krasniqit e Martin Berishajt, vërtetojnë se shqetësimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës për aktivitetet kriminale, punësimet e paligjshme dhe tenderët sekretë kanë qenë plotësisht të sakta”, thuhet në reagim.

Në reagim po ashtu thuhet se LDK në vazhdimësi ka folur për ekzistencën e një strukture kriminale parapolitike të partisë në pushtet, që nëpërmjet një skeme shumë mirë të organizuar e të kontrolluar deri në detaje – nga menaxhimet e komunikimeve ditore, tek oraret e reduktimeve të energjisë elektrike për qytetarët; nga punësimet e paligjshme, deri tek 150 tenderët sekretë – ka organizuar një skemë kriminale pa frikën e përgjegjësisë dhe pa brengën e llogaridhënies.

Në reagim po ashtu thuhet se LDK-ja do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat institucionalë, ligjorë e kushtetues për të zbardhur deri në fund të gjitha rastet e krimit, të korrupsionit dhe të keqpërdorimeve. Njëkohësisht, LDK-ja i bën thirrje organeve të drejtësisë për hetim të menjëhershëm, që personat dhe struktura kriminale përgjegjëse të dalin para drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.