Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka nevojë urgjente për një qendër gjithëpërfshirëse për trajtimin e kancerit të gjirit.
Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e Muajit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit.
“Kosova ka nevojë urgjente për një qendër gjithëpërfshirëse për trajtimin e kancerit të gjirit. Kjo çështje kritike shëndetësore që prek shumë familje kosovare, kërkon adresim dhe veprim të menjëhershëm nga qeveria. Gjatë këtij muaji të ndërgjegjësimit, kam mbështetur aktivitetet e Aleancës së Gruas së Kosovës, anembanë vendit. AGK do të vazhdojë aktivitetin edhe përtej muajit rozë – tetorit. Ky angazhim i vazhdueshëm është shembull i përkushtimit”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se pavarësisht dallimeve politike, të gjithë duhemi të ofrojmë mbështetjen për të krijuar një qendër moderne që do të ofrojë diagnostikim të hershëm, trajtim cilësor dhe mbështetje psiko-sociale.
“Nuk mund të qëndrojmë duarkryq ndërsa gratë tona, nënat, motrat dhe bijat tona luftojnë me këtë sëmundje. Pavarësisht dallimeve politike, të gjithë duhemi të ofrojmë mbështetjen për të krijuar një qendër moderne që do të ofrojë diagnostikim të hershëm, trajtim cilësor dhe mbështetje psiko-sociale për të gjitha gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Kjo është më shumë se një çështje shëndetësore – është një investim në të ardhmen e vendit”, është shprehur Haradinaj.