Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, ka komentuar bisedat telefonike mes kryeterroristit Millan Radojiçiq dhe deputetit të Kuvendit, Behgjet Pacolli, që vetë i ka pohuar ky i fundit.
Pacolli në një intervistë ka deklaruar se një ditë para se Vjosa Osmani të zgjidhet presidente e shtetit, ka folur me Milan Radoiçiqin në prezencën e saj dhe kryeministrit Albin Kurti, ku sipas tij u peshkua një deputet për votimin e saj dhe praktikisht ajo u arrit.
Në këtë deklaratë ai thotë se u peshkua deputeti Adem Hodza për t’ia mundësuar Vjosa Osmanit postin e presidentes.
Lidhur me këto deklarime, Spahiu tha se janë paraqitur fakte notore, pasi që është arrit me ardhë një votë nga Lista Serbe.
“Për mua s’ka nevojë me pas dëshmitarë, sepse janë faktet notore, sepse për me u zgjedh presidenti është dashur edhe një votë nga Lista Serbe, fakt tjetër notor është që ajo votë u ardhë, tjetër është që dikush e ka siguruar. Nëse nuk e ka siguruar Behgjet Pacolli e ka siguruar dikush tjetër. Meqenëse Pacolli po thotë që e kam siguruar unë, ai nuk ka nevojë përveç sinqeritetit asgjë tjetër nuk e shtyn me thënë që ‘unë e kam siguruar votën’”, tha profesori universitar.
Spahiu thotë se ndaj Pacollit ka pasur kërkesë, dhe madje shton se në këtë mes “Radojiçiqi është tradhtuar nga Osmani dhe Kurti”.
“Ka pasur kërkesë, natyrisht. Pse do ta bënte Behgjet Pacolli në qoftë se nuk do t’i kërkohej nga dikush që ka pasur interes aty? Kjo na çon në diçka që me mendu që Radojiçiq ka qenë i tradhtuar nga presidentja dhe kryeministri, sepse ata tashmë janë djegur e kanë shpallur kryekriminel, terrorist”, tha ai.
Ndërkohë, këto deklarime të Pacollit, i ka mohuar Qeveria e Kosovës, ndërsa “pa zë” për këtë çështje janë edhe nga Zyra e Presidentes dhe deputeti Hodza.