Aliu: Nuk kam njoftim zyrtar se kanë nisur hetimet ndaj meje, për mua autoriteti më i lartë është ligji

Prokuroria Speciale ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve në çështjen e ambalazhuesve të ujit. I pandehuri rezulton të jetë Ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu.

Për këtë çështje ka reaguar Aliu, i cili ka thënë se ai nuk ka njoftim zyrtar mbi këtë proces.

“Unë njoftim zyrtar nuk kam patur, por dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe vetë prokurorinë se për mua autoriteti më i lartë është ligji”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Ndryshe, ministri Aliu dyshohet se gjatë periudhës kohore, prej vitit 2021-2024 në cilësinë e personit zyrtar, pra si ministër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët dhe për t’i shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

Ai dyshohet se ka qenë në dijeni se zyrtarët e kësaj ministrie të pandehurit Izedin Bytyqi dhe Naser Hafizi vepruan në kundërshtim të plotë me rregullat, procedurat e ligjet në lidhje me llogaritjen e borxheve, sipas dokumentit.

Ministri Liburn Aliu dyshohet se ka lejuar, me qëllim përfitimi e për t’i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, që operatorëve ekonomik t’u zvogëlohen borxhet.

Më këtë sipas aktvendimit për zgjerimin e hetimeve, ministri Aliu i ka shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës miliona euro.

Reagimi i plotë:

Po qarkullon në disa media një lajm se kanë nisur hetime ndaj meje.

Unë njoftim zyrtar nuk kam patur, por dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe vetë prokurorinë se për mua autoriteti më i lartë është ligji, se punoj dhe angazhohem çdo ditë për respektimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre, dhe se për çdo çështje, çdo hetim apo çdo dyshim, jam i gatshëm të bashkëpunoj vetëm për drejtësi, sipas ligjit, deri në zbardhjen e plotë të çdo rasti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.