Mesazhi i qartë i O’Brien: Serbisë i përmendet Kosova, kësaj të fundit Asociacioni

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euro Azinë, James O’Brien, ka qëndruar dje në Kosovë ku është pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

O’Brien, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë zotimet e dhëna në marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit.

Ai ka theksuar se është momenti që Kosova të përkufizojë pamjen e vet, ndërsa ka shtuar se “Kurti e kupton këtë”.

“Dëshiroj që ato të zbatojnë plotësisht zbatimet e marra me marrëveshje. Jemi në një çast interesant, kur kryeministri Kurti, mendoj se e kupton se ka mundësi për të thënë, kjo është se si duam që Kosova të duket dhe që të formësojë mënyrën se si reagon bashkësia ndërkombëtare”, tha ai.

Tutje, diplomati amerikan, theksoi se rritja ekonomike e të dyja vendeve mund të bëhet nëse ato zbatojnë marrëveshjen bazë dhe aneksin e Ohrit, duke theksuar se “kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara”.

“Ndërsa mendoj se edhe presidenti Vuçiq e sheh si një mundësi që të rritet ekonomia shumë më shumë se që është rritur dhe Serbia ka pasur rritje të mirë ekonomike kohëve të fundit, por që të ketë rritje edhe më të madhe, duhet që të ketë një akomodim politik përgjatë viteve të ardhshme përkitazi me Kosovën. Mënyra më e mirë është përmes marrëveshjes bazë dhe aneksit të Ohrit, kjo është mënyra për të ecur përpara.”, tha O’Brien.

Lidhur me takimin e djeshëm të O’brien dhe Kryeministrit Kurti janë deklaruar deputetë nga pozita dhe opozita dhe njohës të çështjeve politike.

Deputeti i VV-së për vizitën e O’Brien : Drafti i statutit të Asocciacionit duhet ta kalojë filtrin e Kushtetueses

Agon Batusha, deputet i Lëvizjes “Vetëvendosje” e vlerësoi vizitën e O’Brien në Kosovë si pozitive dhe në momentin e duhur. Ai theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve jo vetëm që janë të forta, por po thellohen në fusha kyçe për vendin.

‘’ Vizita e O’Brien është ne momentin e duhur dhe ishte pozitive. U ritheksua qe raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve janë te palëkundura, përkundrazi po zgjerohen dhe thellohen me bashkëpunime ne shume fusha qe janë jetike për Kosovën’’, tha Batusha.

Për sa i përket draft-statutit të Asociacionit për Komunat veriore, Batusha theksoi se çdo dokument i tillë duhet të kalojë përmes filtrit të Gjykatës Kushtetuese. Ai shprehu shqetësim për mospranimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksin e Ohrit nga Serbia, duke theksuar se shkeljet e vazhdueshme nga pala serbe e vështirësojnë dialogun.

‘’Draft-statuti i Asociacionit për Komunat veriore te Republikës kur do qe hartohet nga institucionet e Republikës ose behet dokument i institucioneve Kushtetuese te Republikës, duhet te kaloj edhe ne filtrin e Gjykatës Kushtetuese. Por, mos pranimin e marrëveshjes se Brukselit dhe aneksin e Ohrit nga ana e Serbisë, e patjetër shkelja e vazhdueshme e dispozitave te këtyre marrëveshjeve nga pala serbe, e vështirëson secilin proces te dialogut’’, përfundoi Batusha.

Ish-ministrja e Integrimit: SHBA po gjenë kohë të merret me Kosovën, përkundër politikave miope të Kurtit

Ish-ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, njëherit nënkryetare e PDK-së, komentoi vizitën e Ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, duke e cilësuar atë si një konfirmim të angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për proceset euro integruese të Kosovës.

Ajo theksoi se është një privilegj që, në një kohë krizash globale, SHBA po i kushton vëmendje Kosovës, megjithatë shprehu shqetësim për qasjen e kryeministrit Albin Kurti duke I quajtur ato politika ‘’miope’’.

‘’ Vizita e O’Brian është konfirmim qe SHBA vazhdon te mbetet e përkushtuar dhe e interesuar për avancimin e proceseve euro integruese te Kosovës. Është privilegj qe ne kohe te krizave globale SHBA gjene kohe te merret me Kosovën, pavarësisht qe ne angazhimin e tyre nuk ditëm ta lexojmë dhe kuptojmë për shkak te politikave miope te z.Kurti’’, tha Ahmetaj.

Nënkryetarja e PDK-së mesazhin e O’Brien e ka përmbledhur me fjali-togfjalësh

‘’ Mesazhin e tij do e përmbledhja me një fjali-togfjalësh: Harmonizim te veprimeve me SHBA, avancim te proceseve ne bashkërendim te veprimeve dhe maksimizim te kohës duke mos e befasuar SHBA me veprimet tona’’, tha Ahmetaj.

Për sa i përket dërgimit të asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, Ahmetaj shprehu bindjen se Kurti do ta shtyjë këtë proces deri pas zgjedhjeve, duke argumentuar se marrëveshja aktuale e ka përjashtuar opinionin e Gjykatës Kushtetuese.

‘’ Dërgimi i asociacionit ne Kushtetuese nuk do te behet nga z.Kurti për faktin qe ne jemi ne proces zgjedhor dhe ai do te bej çmos qe ta shtyje këtë deri pas zgjedhjeve si dhe për faktin qe Marrëveshja aktuale e ka përjashtuar opinionin e Gjykatës Kushtetuese’’, përfundoi Ahmetaj.

Deputetja e AAK-së: Kurti e ka marr obligim draftin e Asociacionit i cili është drafti më i keqi i mundshëm

Time Kadrijaj nga AAK komentoi vizitën e O’Brien, duke theksuar se ajo është pjesë e një serie vizitash për shkak të situatës së brishtë të sigurisë në Evropë.

‘’ O’Brien e ka këtë vizitë në vazin vizitave që e ka pas edhe në shtetet e tjera për shkak të situatës së brishtë të sigurisë në Evropë’’, tha Kadrijaj.

Kur u pyet lidhur me deklaratën e O’Brien se : “Dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese është zotim bazë. Nuk e presim vetëm nga kryeminstri Kurti, por kanë qenë edhe disa kryeministra të mëhershëm që e kanë bërë, prandaj e presim këtë edhe nga Kosova”,  Kadrijaj theksoi se kryeministri Kurti veçse e ka pranuar këtë Asosacion dhe tani po bën, siç ka thënë ajo, ekzibicione dhe e quan draftin e këtij Asosacioni ‘’ si më i keqi i mundshëm’’.

‘’ Kurti ka pranuar marrëveshjen në tërësi e ka pranuar edhe draftin e Asociacionit, këto janë veç ekzibicione jo duhet të nënshkruhet jo duhet të jetë njohja në qendër e dialogu të përfundojë me njohje reciproke. Kurti e ka marr obligim draftin e Asociacionit i cili është drafti më i keqi i mundshëm”, përfundon deputetja.

Dritëro Arifi: Kosova nuk do të mund të lëvizë asnjë milimetër nga statusi që e ka nëse nuk merret seriozisht zbatimi i marrëveshjeve

Dritero Arifi ,njohës i çështjeve të politikës është deklaruar për vizitën e James O’Brien në Kosovë dhe ka thënë e kjo vizitë  thekson angazhimin e palëkundur të SHBA-së për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

Sipas Arifit  O’Brien përcolli mesazhin se çdo qeveri, aktuale apo të ardhshme, është e detyruar t’i zbatojë këto marrëveshje.

‘’ Vizita e djeshme e James O’Brien  në Kosovë e dëshmoi edhe një herë vendosmërinë dhe qëndrimin e palëkundur amerikan që marrëveshjet e nënshkruara dhe të zotuara këto të fundit në Bruksel janë obligative për cilëndo qeveri që është apo që do të vijë në pushtet , pra është i pa shmangshëm zbatimi i këtyre marrëveshjeve ky është mesazhi kryesor që e dhanë SHBA-të dje në takimin me kryeministrin e Kosovës’’, tha Arifi.

Ai theksoi se Kosova  nuk do të mund të lëvizë asnjë milimetër nga statusi që e zotëron  dhe se zbatimi i marrëveshjeve do të lidhet me integrimin e saj në struktura euro-atlantike, me mbështetje nga SHBA-të.

‘’Po ashtu një ndër porositë kryesore është që Kosova nuk do të mund të lëvizë asnjë milimetër nga statusi që e ka nëse nuk merret seriozisht zbatimi i marrëveshjeve pra me zbatimin e marrëveshjeve do të koordinohet edhe integrimi i Kosovës në strukturat Euro  Atlantike me ndihmën e SHBA-ve’’, tha Arifi.

Arifi gjithashtu theksoi rëndësinë e dërgimit të draftit të Asociacionit në Kushtetuese për një opinion ligjor, duke e cilësuar këtë hap si të nevojshëm për të siguruar një koordinim më të mirë me SHBA-të dhe për të avancuar procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Ai nënvizoi se vetëm me ndihmën e SHBA-ve do të mund të arrihen objektivat strategjike të vendit.

‘’ Deklarata e O’Brien për dërgimin e Asosacionit në Kushtetuese si zotim bazë e dëshmon edhe një herë që Kosova  pra qeveria e Kosovës si  obligim e ka dërgimin e draft Asosacionit në Kushtetuese për opinion ligjor dhe mandej të gjitha procedurat tjera do të rrjedhin shumë më qetë dhe ky është  është koordinimi thelbësor e përmbajtësor që do ta ketë qeveria e Kosovës me SHBA-të në të ardhmen dhe dërgimi i këtij draft statuti i hap rrugën Kosovës në integrimin në strukturat euro-atlantike sepse vetëm me ndihmën e SHBA-ve mund të arrihen objektivat tona strategjike’’, përfundoi Arifi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.