Pse buzëqeshi Thaçi në Hagë? Krejt çka tha Fadil Geci në ditën e dytë të dëshmisë në Gjykatën Speciale

Ish-zyrtar i LDK-së, vëllai i Gani Gecit, Fadili, e ka vazhduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Hagës për të dytën ditë me radhë. Përderisa të hënën ai u mor në pytje nga Prokuroria, radhën të martën e pati avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq.

Qysh në nisje të seancës, Misetiq e ballafaqoi Gecin me një deklaratë të tij të dhënë në Prokurorinë e Specializuar të Hagës, kur kishte thënë se nuk e konsideron veten pjesë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë kam qenë pjesë e UÇK-së, por jo e LPK-së. E kem pasur ministrin Ahmet Krasniqi i zgjedhur nga presidenti Rugova. Ka qenë komanda kryesore. Komandant ka qenë Ibrahim Rugova, me rregulla e me ligj. Kërkund në botë nuk ka tjetër”, ka thënë në përgjigjen e tij Fadil Geci.

Geci insistonte duke mos u përgjigjur në disa prej pyetjeve të avokatit, çka solli reagimin e Luka Misetiq, por edhe të gjyqtarit Charles Smith.

“Po i bën bisht përgjigjet. A i the Prokurorisë se një njeri që nuk e dinte se ishit me Ministrinë e Mbrojtjes, do të mendonin se ishit luftëtarë të UÇK-së?”, reagoi Misetiq.

Komunikata 59 – temë kryesore

Sikur një ditë më parë, edhe të martën, temë kryesore e intervistimit ishte komunikata 59 ku Gani Geci akuzohej për vrasjen e Abedin Rexhës, Sandokanit. Avokati Luka Misetiq e pyeti Gecin nëse Milaim Zeka iu kishte thënë se komunikatën e ka shkruar Hashim Thaçi.

“Komunikatën 59, nuk jem nal kem punu e bisedu me krejt, cili e keni shkru. Kam bërë shkresë zyrtare që u informuam prej Milaim Zekës, që ky person e ka shkruar dhe tash ajo është e vërtetë”, u përgjigj Geci.

Një moment interesant ndodhi gjatë seancës. Përderisa Fadil Geci po pretendonte se në një kohë Hashim Thaçi ia ka puthur dorën, ky i fundit nuk i ndali të qeshurat.

Nuk kisha pa kurrë në jetë aso rasti, kurrë s’ka bo vaki mëma puth dorën, femnat me ma puth dorën e kam mërzi. Ka mëndu që o në rrezik e dal të eci”, tha Fadil Geci.

Ndërlidhur me komunikatën 59, avokati Luka Misetiq e ballafaqoi Fadil Gecin me një ngjarje që kishte ndodhur para vitit 2017. Në atë kohë, avokati Misetiq, tregoi se familja Geci e kishte marrë si ndërmjetës Hashim Thaçin për ta pajtuar Gani Gecin me Azem Sylën.

“Familja jote e ka përdorur Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin për një mosmarrëveshje mes Gani Gecit dhe Azem Sylës. Ti i besove që ai të ishte ndërmjetësues?”, pyeti Misetiq.

“E vërtetë është”, u përgjigj Fadil Geci.

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, më pas vazhdoi me disa pyetje për raportin që ka pasur familja Geci me Rexhep Selimin. Misetiq kujtoi një deklaratë të Selimit ku ai kishte thënë se Gani Geci ka tentuar ta vras.

“Ai ka qenë përfaqësues i LPK-së ne me LDK-në. Mendime të kundërta kemi pasur gjithë”, u përgjigj Geci.

“Vëllai juaj Ganiu ka qenë i dënuar më përpara për vrasje? Edhe sot e kësaj dite?”, pyeti Misetiq më tutje.

“Ka ndodh raste të improvizuara, ka vepruar në vetëmbrojtje. Nga një grup i organizuar”, tha Geci.

Vëllau juaj është dënuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit?”, pyeti sërish avokati Misetiq.

Geci: Po.

I pyetur disa herë pse është i bindur që Hashim Thaçi e ka shkruar komunikatën 59, Fadil Geci tha se këtë e kishte kuptuar pas takimit që ka pasur në shtëpinë e babait të Thaçit.

“Unë në shtëpinë e babait të Thaçit, ka qenë vëllai i tij Gania dhe babai i tij. Edhe kam kërkuar nga ata që për një afat 1 muaj me tregu ku e kanë marrë informatën për Gani Gecin”, tha Geci.

“Kush tjetër e konfirmon që ti ke shkuar në shtëpinë e tij? A ka njeri të gjallë që dëshmon”, pyeti avokati, ku Geci u përgjigj se dëshmitari që e kishte parë, ka vdekur.

Luka Misetiq vazhdoi me pyetje lidhur me kërkimin e faljes që ia kishte bërë Hashim Thaçi, familjes Geci.

“Këtu thuhet se komunikata 59 është abuzive, dhe ka qenë dashakeqe. Ka kërkuar falje Hashim Thaçi pra. Ka thënë se i vjen keq për familjen Geci. A është kjo falja?”, pyeti Misetiq.

“Veç ky thotë që kërkoj falje, e tjerët brenda shtabit thonë ky e ka shkru vet. Çfarë kuptimi ka kjo. Vet e ka shkru, vet e kërkon falje”, tha Fadil Geci.

Rasti i Abedin Rexhës – Sandokanit, Kuvendi i LDK-së e rrahja e Gani Kocit

Ndërlidhur me komunikatën 59, avokati i Hashim Thaçit insistoi në disa detaje për rastin e Abedin Rexhës – Sandokanit, për të cilin UÇK-ja e kishte akuzuar Gani Gecin. Fadili, vëllai i Ganiut, e ka mohuar të ketë shtënë Gani Geci në drejtim të Sandokanit.

“A e ka qëlluar me armë Sandokanin?”, pyeti Misetiq.

“Jo”, u përgjigj Geci, të cilit më pas iu prezantuan disa dokumente ku Gani Geci e kishte konfirmuar se ka shtënë në drejtim të Abedin Rexhës.

“Na kemi menduar se është vrarë prej dorës tonë, është vërtetuar nga mjekësia ligjore, që personi që u vdek nuk ka vdek prej pushkës, dhe në të drejtën e përgjithshëm, reagimi i parë është syri e pastaj dora. Nuk është vërtetuar që ai plumb është vrarë Sandokani”, tha më tutje Geci.

Akuzat e Fadil Gecit vazhduan, duke thënë se disa udhëheqës të UÇK-së, ishin gëzuar për vrasjet në familjen Jashari.

“Kur u vra familja Jashari disa prej këtu janë gëzu, edhe familja Geci ishte pengesë. Isha unë. Edhe fati, edhe neve na etiketuan. Po të mos kishim kapital njerëzor e moral, çka ish bo mas kësja komunikate. Ishin likuidu krejt”, vazhdoi ai.

Fadil Geci u ballafaqua me një deklaratë të tij ku kishte thënë se “Gani Geci ka shpirt të pastër”.

Luka Misetiq përmendi vrasjen e Ruzhdi Shaqirit. Më pas, Misetiq publikoi në seancë edhe pamjet e famshme të Kuvendit të LDK-së, ku Gani Geci kishte nisur përleshjen me karrige.

“Shpirtin më të pastër e ka prej qaty. Ka reaguar pastër, me rujt diçka. E njerëzit që kanë dashur me shkatërru brenda dihet tash. Ai person që kam qenë brenda, që e ka shkatërru LDK-në është Fatmir Sejdiu. Ka pasur marrëveshje me këta me ardh me u bo kryetar. Fatmir Sejdiu në marrëveshje me LDK-në e ka shkatërru LDK-në. E falënderoj Ramush Haradinajn që e ka shpëtuar pa nda Kosovën, këta tjerët kanë pasur marrëveshje me Vuçiqin me nda Kosovën, ky. Edhe gjykata jonë do të merret me këtë punë”, tha Geci.

Për Fadil Gecin nuk pati pyetje avokati i Rexhep Selimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.