Petkoviq: Kemi insistuar në themelimin e Asociacionit, theksuam “terrorin” e Prishtinës ndaj serbëve në Kosovë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, Petar Petkoviq, në Bruksel, pas raundit të sotëm të dialogut Kosovë-Serbi në nivel të negociatorëve kryesorë, ka thënë se takimi me Bislimin ka qenë i “dhimbshëm” dhe se shihet se nuk ka vullnet të sinqertë për të arritur një marrëveshje për ndonjë gjë.

Petkoviq, pas një takimi trepalësh me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ai këmbënguli në formimin e themelimit të Asociacionit, i cili, siç tha ai ka rëndësi thelbësore për procesin e normalizimit të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, si dhe për jetën normale të serbëve në Kosovë.

Ai tutje tha se Lajçakun e ka njoftuar për “terrorin e kryeministrit Kurti ndaj serbëve, veçanërisht në veri të Kosovës”.

“Ne theksuam të gjitha rrethanat e vështira të jetës së serbëve në Kosovë, folëm për spastrimin etnik të kryer nga autoritetet në Prishtinë, lëvizjet e tyre të njëanshme dhe të përshkallëzuara, mbylljen e institucioneve serbe, arrestimet ilegale të serbëve dhe të gjitha gjërat tjera që e vështirësojnë plotësisht pozitën e tyre dhe jetën e popullit serb në Kosovë, prandaj një pjesë e serbëve u larguan nga pjesa veriore e Kosovës”, tha Petkoviq.

Ai shtoi se u diskutua edhe për vazhdimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur.

“Natyrisht, Prishtina përsëri bëri disa komente, u përpoq ta ndalë atë proces, që edhe një herë tregon se në thelb nuk dëshiron të merret me çështjen e gjetjes së personave të zhdukur”, ka theksuar Petkoviq.

Ai tha se është biseduar edhe për shkeljen e marrëveshjes për lejimin e mallrave serbe, përkatësisht për menaxhimin e tranzicionit.

“Pala jonë tregoi se qindra kamionë janë duke pritur në Merdar, gjë që është absolutisht e papranueshme, sepse nëse kemi vendim për heqjen e ndalimit të hyrjes së mallrave serbe, si është e mundur që qindra kamionë ende presin nga Serbia qendrore për në hyrjei përmes Merdarit. Ne kërkuam hapjen e një vendkalimi tjetër”, theksoi Petkoviq.

Leave a Reply

Your email address will not be published.