Haradinaj: Pasiguria e krijuar nga kjo qeveri ka ndikuar negativisht në të bërit biznes

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se përkundër këtyre sfidave të vazhdueshme nga ana e qeverisë, bizneset tona vendëse vazhdojnë të mbijetojnë dhe të rriten.

Kështu ka thënë Haradinaj në ceremoninë e 22-vjetorit të themelimit të AKB-së.

“Mungesa e një perspektive të qartë euro-atlantike, e cila lidhet drejtpërdrejt me çështjet e sigurisë, e ka bërë tepër të vështirë të bërit biznes në Kosovë. Kësaj i shtohet edhe pabarazia me tregjet rajonale, ku shumë biznese subvencionohen, ndërsa bizneset tona përballen me burokraci të ndërlikuar dhe një politikë të gabuar fiskale. Megjithatë, përkundër këtyre sfidave të vazhdueshme nga ana e qeverisë, bizneset tona vendëse vazhdojnë të mbijetojnë dhe të rriten. Ato po zgjerojnë kapitalin, po krijojnë vende të reja pune dhe po kontribuojnë ndjeshëm si tatimpagues për zhvillimin e vendit”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka falenderuar kryetarin e AKB-së, Agim Shahini dhe ekipin e tij për promovimin e ekonomisë kosovare.

“Në ceremoninë e 22-vjetorit të themelimit të AKB-së, i shpreha mirënjohjen time kryetarit Agim Shahini dhe ekipit të tij për promovimin e ekonomisë kosovare dhe përkushtimin në ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm mes sektorit publik dhe atij privat”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit do të krijohen kushtet e duhura për bizneset dhe ekonominë kosovare.

“Ne jemi të vendosur të sjellim politika që do të mbështesin rritjen ekonomike, do të thjeshtojnë procedurat dhe do të fuqizojnë sipërmarrësit tanë. Pas 9 shkurtit, do të krijojmë kushtet e duhura për më shumë histori suksesi dhe për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së Kosovës”, ka përfunduar Haradinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.