Kurti takohet me Sarrazin: Të ketë fokus në zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar në Procesin e Berlinit

Kryeministri Albin Kurti, pati sot një mëngjes pune me përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se pjesë e diskutimit ishin forcimi dhe avancimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe çështjet aktuale.

“Kryeministri uroi Sarrazin për një samit të suksesshëm në 10-vjetorin e Samitit të Berlinit këtë muaj, ku u nënshkrua një marrëveshje e re për qasje në studime, deklarata për Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025 – 2028 si dhe deklaratat e përbashkëta për fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal, për qasjen dhe bashkëpunimin në infrastrukturën e kërkimit dhe inovacionit dhe atë për standardet rajonale të ekzaminimit investimeve të huaja direkte në Ballkanin Perëndimor”.

“Ai nënvizoi rëndësinë e fokusimit në zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar. Në këtë drejtim Kryeministri theksoi se pas vendimit të Kosovës që qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të mund të udhëtojnë me letërnjoftime në Kosovë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, është e rëndësishme që të punohet që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID ashtu që të mundësohet zbatimi i plotë i marrëveshjes”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me kohën e pritjes në pikën kufitare në Merdarë, kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave të lajmëruara me rastin e ndryshimit të masës së sigurisë deri në operacionalizimin e skanerëve me rreze X, si dhe foli për mobilizimin që kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.

Kryeministri e falënderoi Përfaqësuesin Special për angazhimin dhe kontributin e tij në avancimin e bashkëpunimit rajonal.

Leave a Reply

Your email address will not be published.